E Diel, 1 Nëntor 2026

“ǒrrëmoni kot ndër brekë e këmisha, o budallenj…” – Aurel Plasari për studentin Klevi Metaj: E mbërthyet si martir Mesjete, njollë që nuk do ta shlyeni kurrë! Ky djalë ju mundi, ju përdhosi

Shkrimtari Aurel Plasari ka reaguar përmes një mesazhi të gjatë në rrjetet sociale për Klevi Metajn, të riun që është kthyer në simbol të protestës së studentëve, pasi u lidh me hekura në portën e Ministrisë së Arsimit pas arrestimit dhe rezistencës së tij ndaj 6 policëve.

Klevi Metaj

Në reagimin e tij, Plasari e konsideron veprimin e studentit si një sfidë ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një simbol të të menduarit ndryshe dhe të kundërshtimit të politikave qeveritare.

“JU MUNDI. Ky djalë ju mundi. Atë që nuk e bëri dot një opozitë e tërë zyrtare, jua bëri ky djalë: ju mundi, madje ju poshtëroi, ju përdhosi”, shkruan Plasari.

Ai ndalet edhe te fakti që i riu u lidh me hekura në portën e institucionit që drejton arsimin në vend, duke e cilësuar këtë si një njollë që, sipas tij, nuk do të fshihet nga historia e qeverisjes.

“Kujtoni se do të harrohet se ku e kishit mbërthyer në hekura si martirët në Mesjetë? Në vendin më të përshtatshëm për turpin tuaj: në portat e Ministrisë që etiketohet si e ‘Arsimit’. Pak rëndësi ka tani se kur do të ikni, si do të ikni, pse do të ikni. Nga historia e qeverisjes suaj këtë njollë nuk do ta shlyeni dot kurrë”, shprehet ai.

Në vijim të reagimit, studiuesi përmend edhe gjendjen e të riut në spital, ku ai vijon të lexojë libra.

“Dhe më kujtohet Heine-ja, kur policët prusianë i kontrollonin bagazhet, – siç u kontrolloni ju sot çantat adoleshentëve, – kurse poeti i tall duke thënë me vete: ǒrrëmoni kot ndër brekë e këmisha, o budallenj, kur unë kam në kokë një bibliotekë më të rrezikshme se gjithë autorët e ndaluar prej jush në Prusi?! Bibliotekave në kokë të një brezi tjetër, që mendon ndryshe prej jush, si do t’ia bëni?”, përfundon reagimin e tij Aurel Plasari.

Reagimi i Plasarit:

JU MUNDI. Ky djalë ju mundi. Atë që nuk e bëri dot një opozitë e tërë zyrtare, jua bëri ky djalë: ju mundi, madje ju poshtëroi, ju përdhosi.

E bëri duke protestuar, duke reaguar, duke mos qenë në një mendje me ju, duke mos u pajtuar me politikën tuaj, duke e vënë në dyshim autoritetin tuaj, domethënë: me armën më të fortë të mundshme që është të menduarit ndryshe.

Kujtoni se do të harrohet se ku e kishit mbërthyer në hekura si martirët në Mesjetë? Në vendin më të përshtatshëm për turpin tuaj: në portat e Ministrisë që etiketohet si e “Arsimit”. Pak rëndësi ka tani se kur do të ikni, si do të ikni, pse do të ikni. Nga historia e qeverisjes suaj këtë njollë nuk do ta shlyeni dot kurrë.

Ja ai në shtratin e spitalit, i plagosur prej jush, i ruajtur nga policë që më nuk janë tanët, dhe po lexon. Është pra nga ata studentë që, edhe në kushtet më të pavolitshme, lexojnë libra. Dhe më kujtohet Heine-ja, kur policët prusianë i kontrollonin bagazhet, – siç u kontrolloni ju sot çantat adoleshentëve, – kurse poeti i tall duke thënë me vete: ǒrrëmoni kot ndër brekë e këmisha, o budallenj, kur unë kam në kokë një bibliotekë më të rrezikshme se gjithë autorët e ndaluar prej jush në Prusi?!

Bibliotekave në kokë të një brezi tjetër, që mendon ndryshe prej jush, si do t’ia bëni?

Sa e kam zili!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›