E Diel, 1 Nëntor 2026

"Daçiqin po e fundosin shkaku i Kosovës"

Thelbi i ngjarjeve të fundit dhe skandaleve në Serbi është “fundosja” e kryeministrit Ivica Daçiq shkaku i Kosovës, deklaroi sociologia dhe politikania e diplomatja, Vesna Peshiq.

“Është vështirë të kuptohen ngjarjet e fundit, njëra ngjarje e mbërrin tjetrën, skandalet radhiten njëri pas tjetrit... Por, kur të hiqet mbulesa, del se bëhet fjalë për vetëm një ngjarje: fundosjen e kryeministrit Ivica Daçiq. Arsyeja është më se e qartë: Kosova sërish shkon në karantinë”, ka shkruar Peshiq në tekstin e publikuar në ueb faqen “Peshqanik”.

Ajo ka shkruar se Daçiq është politikani i parë serb, i cili si i barabartë ka biseduar me ndonjë përfaqësues politik të shqiptarëve të Kosovës.

“Dhe jo vetëm që është ulur të bisedojë me Thaçin me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve, por edhe ka porositur patriarkun se ‘Kosova nuk do të na kthehet nëse nuk hyjmë në BE’, ndërsa mbrojtësve të kushtetutës serbe që ‘ta marrin kushtetutën nën sjetull dhe të shëtisin nëpër Kosovë, në qoftë se mund ta bëjnë këtë’”, ka shkruar ajo.

Por, sipas fjalëve të saj, kupa u mbush kur kryeministri Daçiq përmendi edhe mundësinë e ulëses në OKB për Kosovën.

Sipas saj, tashti të gjithë kërkojnë dorëheqjen e tij, kurse me këtë rast fshihet fakti që kjo bëhet shkaku i Kosovës.

Autorja e shkrimit pyetet në këtë tekst se a thua “Serbia qytetare” është vërtetë e gatshme të mos bëzajë dhe të lejojë që në mbeturinat e historisë të shkojë dikush i cili sinqerisht është ulur të bisedojë me shqiptarët e Kosovës, me synimin që t’i shtrojë në tryezë mundësitë reale për arritjen e marrëveshjes me Kosovën”./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›