GGD angazhohet për përmbushjen e objektivave të Mileniumit

Organizuar nga UNKT-ja, sot u mbajt debati me temën: “Të ndërtojmë të ardhmen, vizioni Kosova 2015”. Në këtë takim u diskutua për objektivat e zhvillimit të mileniumit (OZHM) dhe rolin e Kosovës në përmbushjen e këtyre objektivave. Takimin e hapi Osnat Lubrani, udhëheqëse e UNDP-së, e cila tha se Zyra e OKB-së e ka përfshirë Grupin e Grave Deputete të Kosovës në këta objektiva dhe se detyrë e GGD-së është të paraqesë synimet dhe të kontribuojë në hartimin e objektivave globale.
Kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija tha se ky grupim synon zvogëlimin e varfërisë, analfabetizmit, vdekshmërisë së foshnjave, sëmundjeve ngjitëse, etj. “Mund të them se ka zhvillime në këto drejtime, por duhet bërë akoma më shumë”, tha ajo. Sahatqija në vijim vuri në dukje rëndësinë e aprovimit të rezolutës nga Kuvendi i Kosovës, e cila parasheh që deri në vitin 2050 të arrihet përfaqësimi gjinor 50% me 50% në të gjithë sektorët dhe në të gjitha nivelet. Kjo, tha në vijim ajo, le të shërbejë si kontribut drejt përmbushjes së objektivit të tretë të mileniumit dhe motivim që edhe vendet e tjera ta bëjnë këtë. Kurse si kërkesë nga GGD-ja, ajo paraqiti përmbushjen e objektivit të tetë të mileniumit, që Kosovës t’i mundësohet liria e lëvizjes.
Deputetja Aurora Bakalli ngriti çështjen e shëndetit, veçanërisht të foshnjave dhe grave, si dhe nevojën e ngritjes së cilësisë së arsimit. Kurse deputetja Lirie Kajtazi foli për çështjen e resurseve dhe shfrytëzimit të përgjegjshëm të tyre.
Nora Sahatqija, nga UNKT-ja, njoftoi se sipas hulumtimeve të bëra rezulton se Kosova është vendi më i varfër i rajonit dhe “detyrë e jona është t’i identifikojmë, definojmë dhe të përpiqemi të gjemë zgjidhje për problemet e shumta që ka Kosova”./Indeksonline/