E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dita e verës" me Esma Rexhepova

Aktivitetet për Ditën e Verës kanë nisur që në orët e para të mëngjesit në rrugët e Elbasanit, ku pavarësisht shiut qytetarët kanë dalë për të festuar dhe për të përcjellë urime në këtë ditë.

Kjo festë ka nisur me aktivitetin tradicional, karnavalet dhe krosin e organizuar nga shkollat 9-të vjeçare të qytetit. 

Të inkuadruar në kolona rreshtore me pankarta në duar, si "Stop dhunës", "Mbani pastër mjedisin", etj, qindra fëmijë kanë qenë pjesë e dekorit të festës tradicionale, me veshjet e tyre, duke hedhur edhe parulla për paqe dhe lumturi.

Ndërsa mbrëmë me qindra qytetarë kanë dalë në sheshin para portës së Kalasë për të ndjekur aktivitetet kulturore të iniciuara nga bashkia e qytetit.

Aktivitetet kanë nisur me një koncert të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, i cili do të vijojë me këngë dhe valle të Ansamblit “ Isuf Myzyri“, ndërsa rreth orës 23.00 këngëtarja e madhe cigane me famë botërore, Esma Rexhepova eshte ngjitur në skenën e improvizuar në qendër të qytetit.
Mbreme i gjithë qyteti ka festuar ardhjen e Ditës së Verës, nën ritmin e këngëve popullore të Shqipërisë së Mesme nga këngëtarë të njohur si Silva Gunbardhi, Pirro Cako, motrat Libohova, etj.

"Dita e Verës” është festë e përtëritjes së natyrës e vazhdimësisë së jetës, me prejardhje pagane. Në Elbasan është bërë festë popullore e mbarësisë familjare, e festuar nga të gjithë pa dallim. Festohet më 14 Mars, pikërisht kur mendohet se ka filluar mbirja e bimësisë tradicionale. /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›