"Një zë në shkretëtirë", në teatrin "Petro Marko"
VLORE - Trupa e estradës së Vlorës ka filluar sezonin e aktiviteteve me premierën "Një zë në shkretëtirë". Materiali i vënë në skenë me regjinë e Ilir Bezhanit, është mirëpritur nga spektatori vlonjat. Në të është vërejtur një ndërthurje e këndshme e humorit të sjellë nga parodistët si dhe aktorët e tjerë të trupës së estradës, ku batutave i është shtuar edhe humori i aktorit Kosta Kamberi, i ftuar në këtë spektakël. Ashtu siç edhe është prezantuar në titull, materiali është vendosur në një zonë të shkretë, ku aktorët duket se kanë gjetur pozicionin e vet, të paktën nga rolet që kanë mbajtur. Thjesht aktorë dhe një regjisor që përpiqen të vënë në skenë një shfaqje, por mungesa e sponsorëve apo edhe ndonjëherë e vetë talentit, duket se e bën të pamundur misionin. Gjithë materiali është ndërthurur me muzikën e orkestrës live të drejtuar nga Artur Dhamo, si dhe zërat e këngëtarëve Rovena Ibrahimi, Drini Kanani e Ludmilla Baballëku. Shfaqja do të vijojë përreth 6 ditë në sallën e teatrit "Petro Marko". (GSH/BalkanWeb)