E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rike, një vajzë e komunitetit rom"

Torosi i “BB4” është konsideruar gjithmonë si udhërrëfyesi i personazheve të këtij “show”, pasi ata dalin nga loja e “Big Brother”. Si një pasionant i spektakleve “reality”, ai i ndjek pasuesit e tij me përpikëri për të dhënë gjithmonë në media mendimin personal për atë që ia vlen të veçohet nga të tjerët.

Në këtë rast është Rike Roçi në fokusin e tij, edhe për faktin se origjina e të dyve është nga Durrësi, dhe pastaj jeta që kanë bërë në Itali. Por Toros këtë herë zbulon një sekret të 26- vjeçares të ardhur nga Italia, faktin që Rike është një vajzë që i përket komunitetit rom.

Larg çdo paragjykimi dhe qëndrimi negativist ndaj pakicave në Shqipëri, Toros në një intervistë për mediat shqiptare mban anën e saj, për të treguar se një vajzë si Rike me pamjen dhe personalitetin e saj i ka tejkaluar të gjithë stereotipat duke u pëlqyer nga shumë njerëz, pavarësisht ngjyrës së saj të lëkurës.

“Dua të theksoj se loja e “BB6” mori ngjyra më të bukura me hyrjen e Rikes në shtëpi, e cila me praninë e saj i zgjoi banorët nga gjumi, ndërkohë që deri para hyrjes së saj ishin duke u marrë vetëm me Joanën”, ka thenë ai për “Panorama”,duke shtuar:
“Më pëlqen që Durrësi përfaqësohet nga një vajzë si Rike që i përket një komuniteti shumë të respektuar dhe punëtor në Durrës, që është komuniteti rom. Dikush mund edhe të çuditet nga ky sekret i saj, por Rike nuk ka asgjë për të mbajtur të fshehtë në këtë aspekt dhe duhet të jetë krenare, pasi ka arritur që me sharmin e saj dhe gërshetimin e ngjyrave të lëkurës e syve të zbukurojë ekranin e “Big Brother”. Ajo po ngroh shpirtrat e durrsakëve dhe shqiptarëve që janë gati ta votojnë, pasi të kënaq syrin. “

Ai ka folur edhe për familjen nga e cila vjen Rike, që më vonë janë shpërngulur në Itali:
“Rike vjen nga një familje e thjeshtë durrsake, dhe jeta në Itali e ka bërë të hedhë pas krahëve komplekset dhe të krijojë identitetin e një femre që mund t’ia dalë vetë. Marr shkas të mbështes Riken, për arsye se kam njohur njerëz të këtij komuniteti në Durrës që janë shumë të respektuar, punëtorë dhe të dashur.” /Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›