E Diel, 1 Nëntor 2026

"S’iu përgjigja disa javë producentit holivudian"

Pas publikimit të lajmit se njëra prej këngëve të Rovenes do të jetë pjesë e filmit “Dead man down”, me regji të Niels Arden Oplev dhe me protagonist Colin Farell, kengetarja ka treguar  se ishte pikërisht regjisori i famshëm që e ka kontaktuar në email.

“Nuk e njihja kush ishte dhe kushedi sa email-eve nuk u kam kthyer përgjigje. Mirëpo fatmirësisht, motra ime që është më e vëmendshme, kontaktoi me të”, ka thene Rovena per mediat shqiptare.

Sipas saj, regjisori ka kërkuar një këngëtar shqiptar në rrjetet sociale, duke qenë se në film flitet edhe për vendin tonë, dhe ka zgjedhur pikërisht Rovenën si këngëtaren përfaqësuese.

Ndër këngët që janë diskutuar për t’u bërë pjesë e filmit, ishin “Burrë të martuar dashurova”, “Llokum”, “Çka më ka syni”. Pasi ekspertët që punojnë me muzikën e filmave të Hollywood-it i kanë dëgjuar të tria këngët, kanë zgjedhur këngën “Çka më ka syni”.

Marrëveshja u nënshkrua ndërmjet produksionit hollivudian të njohur DMD Productions, LLC c/o IM Global 8322 Beverly Boulevard, Los Angeles, CA dhe “TE ROVI2 Production” dhe kjo është e para kontratë për përdorim të një kënge shqiptare në një film të Hollywood-it.

Rovena tha se ka marrë një pagesë modeste për përdorimin e këngës, si dhe tregoi që ajo tashmë i ka hyrë biznesit të videoklipeve, duke hapur një studio për prodhimin e tyre./Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›