E Diel, 1 Nëntor 2026

"U arratisa nga SHBA se kisha frikë mos më vrisnin"

Rrëfimi në gjykatë i shkodranit të kërkuar nga FBI-ja për trafik makinash: Kisha frikë nga ata që denoncova
SHKODËR- "Jam ndjerë i kërcënuar dhe i pa sigurt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj dhe jam larguar duke u kthyer në Shqipëri edhe pse kisha masë sigurie nga gjykata e Nju Jorkut atë të detyrimit për paraqitje pranë autoriteteve federale". Kështu ka deklaruar para togave të zeza të gjykatës së shkallës së pare në Shkodër, 21- vjeçari Besmir Boshnjaku, nga qyteti i Shkodrës, me banim të përkohshëm në SHBA , i ndaluar nga policia pasditen e 19 dhjetorit. Arrestimi i tij është bërë pas një kërkese të ardhur nga Byroja Federale e Hetimit në SHBA, e cila e kishte shpallur 21- vjeçarin shkodran në kërkim ndërkombëtar.
***
Në seancën e vlerësimit të masës së arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë, organi i akuzës i përfaqësuar nga prokurori Lazër Çardaku ka paraqitur para trupit gjykues materialin e ardhur nga FBI, sipas të cilit Besmir Boshnjaku është i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi dyshohet se është i përfshirë në një grup kriminal që merrej me trafikimin e mjeteve motorike të vjedhura. I ndaluar nga policia amerikane në korrik të këtij viti, 21- vjeçari që ishte me banim familjarisht në SHBA nga viti 1998 ishte lënë i lire nga gjykata e Nju Jorkut me masë sigurie detyrim për paraqitje kundrejt garancisë pasurore. Por 21- vjeçari sapo ka rifituar lirinë nuk ka pritur aspak që t'i vijë data e gjyqit dhe është larguar nga SHBA dhe pasi ka shkuar në Athinë ka ardhur në Shqipëri. Boshnjaku ka përfunduar më pasnë vendlindje, në Shkodër, ku dhe është ndaluar nga policia në banesën e tij në lagjen Naim Gjylbegu. Avokati Bujar Hoti ka kërkuar pavlefshmëri të akteve të sjella nga autoritetet e SHBA dhe lirim të klientit të tij. Vetë Besmir Boshnjaku mësohet se ka pohuar se e është në dijeni të hetimit ku është i përfshirë pasi ka pasur dijeni për trafikun e mjeteve motorike por nuk ka qenë pjesë e tij.
***
"Kam bërë deklarimet përkatëse pranë FBI për atë çfarë kam ditur dhe jam lënë i lirë nga gjykata me garanci pasurore e detyrim për paraqitje deri në shpjegim të pozicionit tim në këtë ngjarje. Por pas lënies së lire jam kërcënuar vazhdimisht nga personat e përfshirë në këtë rrjet dhe kjo ka bërë që të ndihem i pasigurt, ndaj dhe jam larguar për në Shqipëri",- mësohet të ketë thënë 21- vjeçari Boshnjaku. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Irida Kacerja ka vendosur si masë sigurie arrest në burg me afat dy muaj për 21- vjeçarin, kohë kjo e mjaftueshme që autoritetet amerikane të dërgojnë pranë atyre shqiptare dokumentacionin dhe kërkesën për ekstradim të Besmir Boshnjakut. Ekstradimi i tij do të bëhet në bazë të një traktat -marrëveshjeje të nënshkruar mes SHBA dhe Shqipërisë në vitin 1933, në kohën e sundimit të Mbretit Zog, dhe kjo marrëveshje gjatë viteve të mëpastajme nuk është shfuqizuar asnjëherë. Do jenë autoritetet e SHBA që do dërgojnë pranë Ministrisë së Drejtësisë në vendin tone dokumentacionin për ekstradim të 21- vjeçarit. Mësohet se akuza për të është thyerja e ligjit federal që lidhet me faktin se ai ka shkelur vendimin e gjykatës për detyrim për paraqitje dhe largim nga SHBA , ndërsa lidhur me pjesëmarrjen e tij në grupin kriminal që trafikonte mjete të vjedhura duke bërë një qarkullim parash me vlerë rreth tre milionë dollarë amerikanë, mësohet se kjo akuzë është akoma në fazën e hetimit nga FBI.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›