E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vaji i fast-food-ve mund të jetë kancerogjen"

TIRANE-Rreziku që vjen nëse preferoni të konsumoni ushqime të fast-food-eve, është i shumëfishtë. Jo vetëm rrezikoheni nga obeziteti, por ajo që ka më shumë rëndësi është cilësia e produkteve.
Madje, sipas kontrolleve të ushtruara nga Drejtoria e Higjienës së Tiranës, ka rezultuar se ata e përdorin vajin për skuqje më shumë se normat e lejuara. Gjë kjo që e shndërron atë në një rrezik kancerogjen për shëndetin tonë. Kjo pasi vaji përbëhet nga disa produkte polare, të cilat nga skuqja e herëpashershme transformohen në elementë kancerogjene. Sipas drejtorit të Higjienës së Tiranës, Mhill Gecaj, vetëm javën e fundit ata kanë kontrolluar 100 fast-food-e, nga ku 5 kanë rezultuar me probleme.
"Në 95 % të rasteve analizat që ne kemi marrë, kanë qenë negative. Në rast se vaji ka një ngarkesë pune të madhe, që është përdorur në shumë raste, padyshim që mund të ndërrohet edhe çdo ditë. Humbet vetitë fiziko-kimike dhe vlerat ushqyese dhe dëmton shëndetin e konsumatorëve", - ka deklaruar Mëhill Gecaj, kreu i drejtorisë së Shëndetit Publik për Tiranës. Sipas tij, edhe për familjarët se çdo lloj vaji ka një temperaturë të caktuar të skuqjes dhe ajo nuk duhet të tejkalohet.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›