"Zogu i Tiranës" do postin e zëdhënësit

Hermes Nikaj, i njohur si "Zogu i Tiranës", emër që e mori gjatë eksperiencës së tij të punës në “Aldo Morning Show”, një program i Aldon Lipes, i është drejtuar pak ditë më parë Bashkisë së Tiranës për të aplikuar për punë. Pas premtimit publik që i bëri direkt në emisionin “Zonë e Lirë” kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, Hermesi ka nisur procedurat e aplikimit.
"Zogu i Tiranës", i cili pas largimit nga “Aldo Morning Show” kishte mbetur pa punë, e theksoi këtë fakt edhe te “Zonë e Lirë” e Arian Çanit, program ku ishte i ftuar për të disatën herë dhe ku ka theksuar dhe dëshirën e tij për t’iu rikthyer televizionit e pikërisht programit të Aldos, ku u bë i njohur. Por pas konfirmimit përfundimtar që Aldo i bëri Arian Çanit në një lidhje telefonike direkt në emision, Zogu kërkoi t’i hedhë diku tjetër sytë për punë. Kështu, i pranishëm në emisionin e së premtes së kaluar në “Zonë e Lirë”, Hermesit iu bë një ofertë publike nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, për të qenë pjesë e stafit të punonjësve pranë këtij institucioni. Ndërkaq, i kontaktuar nga "Panorama", 22 vjeçari ka treguar se të nesërmen i është drejtuar Bashkisë së Tiranës dhe ka plotësuar një formular takimi me Bashën, bashkëngjitur dhe me një CV të tijën. /Indeksonline/