u rrëfej atentatin ndaj përfaqësuesit shqiptar në Misionin e Aleatëve në Bari
Ngjarja ndodhi natën e 20 marsit të 46-tës, në një nga rrugët periferike të Barit. Nazif Ibrajn në fillim e goditën me thikë, pastaj me plumb në kokë. Lajmi tronditi rëndë jo vetëm shqiptarët e atashuar në Shtabin e Aleatëve të Mesdhut, por të gjithë ushtarakët e pranishëm aty.Kështu e nis rrëfimin për shokun e humbur në një atentat kriminal Stavri Bita, ish-anëtar i Misionit Ushtarak Shqiptar në Bari të Italisë dhe miku i afërt i Nazif Ibrajt. Pastaj biseda me të zbulon rrethanat e panjohura të ndodhisë së 20 marsit 1946, q렠 u bë objekt diskutimi në tryezat politike europiane. Bita, për shkak të moshës, herë-herë sforcohet për saktësimin e betejave apo emrave të protagonistëve të kohës, por përjetimin e asaj tragjedie në bregun tjetër të Adriatikut, e ruan të freskët. Nuk përzgjedh fjalët për ti dhënë ngjyra interesante rrëfimit dhe as tenton glorifikimin e ndodhisë. Tregimi i tij fund e krye përshkruhet nga dashuria dhe respekti për vlerat e shokut, që u martirizua pabesisht në krye të detyrës dhe nga një lloj zemërate ndaj prirjes për të folur më shumë për ata që duhet heshtur dhe heshtjes së pakuptimtë për ata që duhet folur. Gjithsesi, në kujtesën e këtij 80-vjeçari, ngjarjet e faktet janë skalitur me vlagën e kohës dhe ai nuk di të bëjë kompromis për ti ngjyrosur tjetërsoj…
Zoti Stavri! Në kujtimet tuaja flisni për atentatin ndaj njërit prej pjesëtarëve të Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Shtabit të Mesdheut në Bari. Si shpjegohet që kjo ngjarje gjatë kohës së komunizmit është mbajtur disi e fshehtë?
Me siguri e keni fjalën për atentatin ndaj Nazif Ibrajt, shokut dhe mikut tim të afërt, që ndërroi jetë natën e 20 marsit 46 në Bari të Italisë. Nuk e di çfarë keni parasysh kur thoni se është mbajtur në fshehtësi, por e vërteta është krejt ndryshe. Nazifi është shpallur Dëshmor i Atdheut dhe akti i tij është vlerësuar zyrtarisht nga autoritetet e kohës. Madje,vrasja tragjike e tij është artikuluar me forcë edhe në disa tubime ndërkombëtare. Për të ka folur vetë Enver Hoxha në Konferencën e Paqes në Paris, duke denoncuar energjikisht fashistët italianë, si autorët e vërtetë të atentatit makabër…
Ta lëmë për një moment ngjarjen e 20 marsit 46 dhe të kthehemi te jetëshkrimi i Nazif Ibrajt…
Unë Nazifin e kam pasur shok të afërt. Njohja jonë, që shumë shpejt u shndërrua në shoqëri të afërt, zë fill në mesin e vitit 1944. Ishim të dy 18-vjeçarë, ai nga Vranishti i Vlorës, unë nga Vithkuqi i Korçës. Kishim përshkuar pothuajse të njëjtën rrugë në luftën antifashiste, ai si partizan i çetës Sali Murati dhe i Brigadës së Pestë Sulmuese, ndërsa unë në çetën Qamil Panariti dhe në Brigadën e Katërt. Në të njëjtën kohë u bëmë pjesë e Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe po bashkë shkuam në Itali. Nazifi ishte nga ata njerëz, që bien në sy me shikimin e parë. Kishte trup atleti, i gjatë, i shkathët, i fuqishëm dhe me dëshirë të admirueshme për sportet. Në shoqëri rrezatonte përherë mirësi dhe dashuri vëllazërore, kurse humori i tij i veçantë, të bënte ta doje me gjithë shpirt. Kishte pasion të veçantë këngën popullore dhe e interpretonte për mrekulli. Na ftonte shpesh ti mbanim iso labçes së tij, por asnjëherë nuk e kënaqëm me mënyrën si këndonim…
Si u bëtë pjesë e misionit ushtarak të Shtabit të Forcave Aleate në Bari?
Ishte pikërisht maji i vitit 1945, ai që do të sillte një ndryshim të papritur në jetën tonë ushtarake. Axhem Abazi, komandanti i Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm, na bëri me dije se do të shkonim në qytetin e Barit, me detyrë pranë misionit tonë ushtarak, që vepronte në kuadër të Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut. Kureshtja e moshës na nxiste për ta parë sa më shpejt botën tjetër përtej Adriatikut. Nuk vonoi dhe me disa shokë të tjerë morëm rrugën drejt Perëndimit. Po shkonim në atë vend të huaj, ushtria e të cilit gjashtë vjet më parë e kishte shndërruar Shqipërinë në pjesë të mbretërisë fashiste. Tashmë, kohët kishin ndryshuar. Boshti nazifashist, me ëndrrën për të sunduar botën kishte nënshkruar humbjen pa kushte. Shqipëria me luftën dhe gjakun e bijve të saj, me të drejtë ishte rreshtuar në anën e fitimtarëve. Zëri i saj kërkonte ballëhapur të drejtat e veta, duke shpalosur vlera për paqen dhe përparimin. Si pjesë e saj ndiheshim krenarë për rrugën e përshkuar dhe optimistë për të ardhmen…
Çfarë kujtoni nga shërbimi pranë misionit ushtarak pranë Komandës së Mesdheut?
Misioni Ushtarak Shqiptar aty drejtohej nga kolonel Kadri Hoxha, luftëtar i hershëm nga Elbasani, i palodhur në punë dhe me një kujdes të skajshëm për detyrën. Bashkëpunëtorë më të afërt kishte Iljaz Sevranin dhe Nuri Resnja. Kur shkuam ne në mision ishim 18 vetë, ndërsa me kalimin e kohës ky numër arriti deri në 33. Selia e Misionit ndodhej në rrugën Dante Aligieri, ndërsa godina ku pushonim e flinim ishte 200 metra më larg. Ndonëse de jure Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar, situata në Bari ishte e paqëndrueshme dhe me rrezik për jetën. Në rrugë qarkullonin forcat aleate, por numri i tyre ishte i papërfillshëm në krahasim me grupet fashiste e neofashiste, që demonstronin hapur urrejtjen për të huajt, e sidomos për forcat demokratike që synonin vendosjen e rendit të ri. Veç tyre, aty kishin gjetur strehë edhe shumë nga ish-bashkëpunëtorët e pushtuesit në vendet evropiane si polakë, jugosllavë, grekë, rumunë etj. Natyrisht, nuk mund të mungonin edhe kriminelë shqiptarë, që kishin lyer duart me gjakun e popullit të pafajshëm. Rrezikshmëria e këtij kontigjenti kundërshtarësh të egër ishte e përditshme, çka na detyronte të ishim tepër të kujdesshëm, por dhe të privoheshim nga shumë të drejta njerëzore.
Misioni shqiptar pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut ishte vendosur që në vitet e luftës. Tani që kishte përfunduar ajo, cili ishte qëllimi i tij?
Vërtet kishte përfunduar lufta, por nuk ishin mbyllur problematikat e krijuara prej saj. Në këtë vështrim, detyrimet tona ishin nga më komplekset. Ndër më parësoret ishte pritja dhe përcjellja e qytetarëve tanë për në Atdhe. Ktheheshin të burgosurit dhe të internuarit nga burgjet e kampet e përqendrimit. Përcillnim për në atdhe ish-partizanë që ishin kuruar, por prisnim edhe të tjerë, që kërkonin shërbim të specializuar mjekësor. Sakaq, duhej përkujdesur edhe për një kategori njerëzish që paraqitej rishtas në mision. Ishin shumë njerëz që ishin larguar në vitin 1944-1945, të frikësuar nga ndëshkimi i regjimit komunist, por në kushtet e reja kërkonin të riktheheshin. Me ta përballonim një punë delikate, pasi mes tyre kishte jo pak edhe provokatorë të ndryshëm. Mbaj mend një grua, Aspasi e quanin. Qëndroi 3-4 ditë midis nesh, me kërkesën për të ardhur në Shqipëri, por e shtynte nisjen me shkaqe nga më të ndryshmet. Pak a shumë e morëm vesh kush ishte dhe kujt i shërbente, ndaj bëmë çështë e mundur për ta sjellë në Tiranë. Riatdhesimi i saj do zbulonte më në fund dhe misionin antishqiptar që kishte marrë përsipër…
Pra, keni vepruar si një lloj konsullate…
Një lloj konsullate, por në kushte tmerrësisht të vështira. Ndoshta sot mund te duket e pabesueshme, por ne atëherë përballeshim m