Çuçi: Qeveria e re të shlyejë detyrimet ndaj sektorit privat
Në konferencën e fundit për shtyp ku prezantoi raportin mujor të politikës monetare, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani paralajmëroi edhe njëherë për të ardhmen e vështirë që e pret ekonominë shqiptare. Pas kësaj deklarate edhe ekspertë të ekonomisë kanë dhënë këshillat e tyre lidhur me atë se çfarë duhet të bëjë si fillim qeveria e re, për të ndihmuar ekonominë e vendit. Kështu eksperti i ekonomisë, Leontiev Çuçi ndërsa ka folur dje në media ka thënë se qeveria e re duhet të fillojë nga puna duke kryer sa më parë auditimin e premtuar të financave publike, për të pasur një tablo të qartë të situatës para se të marrë vendime. Sipas z.Çuçi është e domosdoshme që, si masë emergjente, të shlyhen menjëherë detyrimet e qeverisë ndaj sektorit privat, veprim ky që do ti jepte një frymëmarrje të konsiderueshme biznesit, bankave dhe ekonomisë në tërësi.Por një tjetër masë e domosdoshme për të gjallëruar kreditimin dhe ekonominë është edhe ndërhyrja për të bërë realisht funksional tregun e kolateraleve. Lidhur me premtimet e shumta elektorale, z.Çuçi është i mendimit se qeveria e re nuk duhet të vendoset nën presion për të përmbushur në mënyrë të menjëhershme premtimet elektorale që bëri, por se premtimet mund të përmbushen gradualisht në harkun e mandatit katërvjeçar, për të mos rënduar më tej gjendjen e vështirë të llogarive publike.