1 i plagosur me armë zjarri dhe një me sende të forta në Vorë, ngjarja pas një konflikti të çastit. Autori në arrati

Dy persona kanë mbetur të plagosur sot (16 tetor) te mbikalimi i Domjes në Vorë. Pas një konflikti për motive të dobëta, një 25-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri, ndërsa një 22-vjeçar është dëmtuar me sende të forta. Të dy të plagosurit janë dërguar në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën
Autori është arratisur menjëherë pas ngjarjes, ndërsa policia njofton se ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të kryeqytetit dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e tij.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
“Rreth orës 13:50, tek mbikalimi i Domjes, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet se është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi F. A., rreth 25 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën si dhe është dëmtuar dyshohet me sende të forta shtetasi G. L., rreth 22 vjeç, i cili po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje/dalje të kryeqytetit dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/