E Hënë, 2 Nëntor 2026

Më shumë punonjës të huaj në Shqipëri, afro 15 mijë persona po kontribuojnë në ndërtim, turizëm dhe shërbime

Rreth 15 mijë punonjës të huaj janë aktualisht të punësuar në vendin tonë, sipas të dhënave më të fundit. Shumica e tyre janë të angazhuar në sektorin e ndërtimit, hoteleri-turizmit dhe shërbimeve të ndryshme.

“12 mijë deri në 15 mijë leje pune lëshohen çdo vit nga autoritete për punonjës të huaj, të cilët janë të angazhuar në sektorë të ndryshëm. Flukse më të mëdha vihen re nga vendet aziatike. Ka edhe një fenomen tjetër, punonjësi ndërkufitar”, tha Elio Muça, Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH).

Drejtoresha ekzekutive për organizatat e zhvillimit të qëndrueshëm, Ada Ilia, theksoi se përmirësimi i politikave të migracionit dhe ulja e informalitetit mbeten prioritete kryesore. Ilia nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

“Kemi nga Filipinet, Bangladeshi, nga India, vendet arabe, Turqia, por gjithashtu edhe nga Italia, të cilët vijën në formatin jo të punonjësve, por për të hapur biznese”, deklaroi ajo.

Ekspertët theksuan nevojën për politika më efektive që sigurojnë kushte të barabarta për punëtorët vendas dhe të huaj.

“Mbrojtja e punonjësve duhet të bëhet më plotë, që nga rekrutimi dhe deri në përfundimin e kontratës. Një nga boshllëqet më të mëdha në zbatimin e ligjit është periudha para lidhjes së kontratës së punës. Raporti propozon që ISHP të ketë mansdat të plotë për të hetuar praktikat e paligjshme të punësimit”, deklaroi Florjan Piperi, ekspert i politikave ligjore.

Gjatë konferencës së zhvilluar për një punësim të drejtë dhe të rregullt, u diskutua gjerësisht për sfidat e tregut të punës dhe përfshirjen e punëtorëve migrantë. Migracioni i punës po bëhet një faktor kyç në zhvillimin ekonomik dhe social të Ballkanit Perëndimor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›