10 startup-e shqiptare udhëtojnë drejt Silicon Valley, finalizohet programi i akselerimit në Piramidë

Finalja e programit të akselerimit “Plug and Play Tirana Expo 2025” u zhvillua sot në ambientet e Piramidës, duke shënuar një moment kyç për ekosistemin e startup-eve në vend. Si rezultat i këtij programi, dhjetë startup-e shqiptare do të kenë mundësinë të udhëtojnë drejt Silicon Valley për të prezantuar idetë e tyre dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërkombëtar.
Ky program akselerimi synon rritjen e kapaciteteve të sipërmarrjeve të reja shqiptare dhe vendosjen e tyre në një nivel konkurrues global.
Ministrja Ibrahimaj: Besim te potenciali shqiptar
Në fjalën e saj, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi rëndësinë strategjike të këtij zhvillimi.
“Shqipëria po ndërton një ekosistem inovacioni që mbështet idetë e reja dhe i lidh ato me tregjet globale”, u shpreh Ministrja.
Ajo vuri në dukje se ky bashkëpunim ndërkombëtar reflekton besimin te potenciali i të rinjve shqiptarë.
Në një postim në rrjetet sociale, Ibrahimaj shtoi se Shqipëria po ndërton “një model të qëndrueshëm për zhvillimin e startupeve, me mbështetje konkrete, bashkëpunim ndërkombëtar dhe besim tek talenti i të rinjve që po krijojnë të ardhmen këtu.”
Udhëtimi i dhjetë startup-eve në Silicon Valley do t’u shërbejë si një mundësi thelbësore për të testuar risitë e tyre në tregun global dhe për të siguruar partneritete afatgjata.
/rtsh.al/