Akademia e Sigurisë hap programin Master Shkencor “Siguria publike dhe hetimi i krimit”

Akademia e Sigurisë ka hapur për herë të parë programin e studimit të nivelit të dytë “Master Shkencor” në fushën e “Sigurisë Publike dhe Hetimit të Krimit”. Kjo iniciativë synon të pasurojë strukturat ligjzbatuese, veçanërisht Policinë e Shtetit, me profesionistë të kualifikuar me dije të mirëfillta shkencore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, përshëndeti këtë arritje, duke theksuar rëndësinë e saj akademike dhe profesionale.
“Fakti që Akademia ofron një program master shkencor është një arritje shumë e madhe, akademike dhe vlerësuese për shkollën,” u shpreh Proda. Ai theksoi besimin se ky program do t’i japë vlera të shtuara organizatës, sidomos duke qenë se ofrohet nga ekspertë brenda Akademisë, të cilët kanë lidhje të drejtpërdrejtë me informacionet profesionale në fushën e rendit dhe hetimit.
Rektori i Akademisë së Sigurisë, Profesor Ilirjan Mandro, shpjegoi se hapja e këtij programi shënon konsolidimin e Akademisë pas akreditimit institucional dhe programor.
“I gjithë ky proces për hapjen e këtij programi është kryer në përputhje me standardet më të mira të arsimimit dhe kualifikimit,” tha Mandro, duke shtuar se certifikimi në nivelin “Master” është tashmë një kërkesë për ecurinë në karrierë të punonjësve të Policisë në nivelet e larta drejtuese.
Akademia e Sigurisë premton të vijojë me angazhimin e saj për ofrimin e një arsimimi cilësor dhe me standarde evropiane, në shërbim të misionit të Policisë së Shtetit dhe sigurisë së qytetarëve.
/rtsh.al/