100 tonë shalqi dhe pjepër nga Divjaka drejt Kosovës dhe Lituanisë, certifikohen për eksport

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Një ngarkesë prej 100 tonësh me shalqi dhe pjepër nga zona e Divjakës është certifikuar për eksport drejt tregjeve të Kosovës dhe Lituanisë.
Ministria e Bujqësusë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, në pikën e grumbullimit në Zharrnec është kryer sot procesi i certifikimit fitosanitar, pas kontrolleve të realizuara nga inspektori i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB).
Gjatë verifikimit u kontrollua pastërtia fitosanitare e produkteve, duke garantuar se ato përmbushin kërkesat dhe standardet e vendeve pritëse. Pas përfundimit të procedurave u lëshua Certifikata Fitosanitare, dokumenti që shoqëron produktet gjatë eksportit.
Ky proces është një hallkë e rëndësishme për garantimin e sigurisë së produkteve bujqësore, mbrojtjen e shëndetit të bimëve dhe zgjerimin e eksporteve shqiptare drejt tregjeve rajonale dhe evropiane.
Divjaka vijon të jetë një nga zonat më të rëndësishme të prodhimit të shalqirit në vend, duke kontribuar në rritjen e pranisë së produkteve “Made in Albania” në tregjet e huaja.
/e.xh/a.f/