Rihapet ankandi i obligacioneve 15-vjeçare me vlerë 1,5 miliardë lekë

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Ministria e Financave do të zhvillojë javën e ardhshme rihapjen e ankandit të obligacioneve 15-vjeçare, me një shumë të ofruar për blerje nga investitorët prej 1,5 miliardë lekësh.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky ankand është rihapje e ankandit të muajit qershor, ku u shënua një rritje e yield-it të këtyre instrumenteve të borxhit.
Në ankandin e fundit, kuponi dhe yield-i uniform i pranuar u rrit në 6, 22%, nga 5,75% që ishte në ankandin e mëparshëm të zhvilluar në muajin prill.
Me këtë nivel, yield-i i obligacioneve 15-vjeçare ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024.
Në ankandin e fundit u regjistrua një rënie e kërkesës nga investitorët, ku shuma totale e kërkesave rezultoi rreth 1,41 miliardë lekë, duke mos arritur shumën e shpallur për financim prej 2 miliardë lekësh.
Obligacionet afatgjata janë një nga instrumentet që përdoren nga Ministria e Financave për financimin e nevojave të buxhetit të shtetit dhe menaxhimin e borxhit publik. Treguesi i yield-it reflekton koston me të cilën qeveria siguron financim nga tregu financiar. /e.xh/a.f/