"100 vjet burg"/ Detaji në mesazhin e Ramës që transformoi Erjon Veliajn


Nga Dorian Kodra
Ka disa fraza të hidhura në bombën që hodhi kryebashkiaku Veliaj në Facebook ditën e hënë, të cilat i zhbëjnë krejtësisht tiparet me të cilat jemi mësuar ta shohim zakonisht kryebashkiakun e Tiranës; atë të çirakut të Edi Ramës, një politikan që rrëshqet si një lloj zgjatimi politik, i gatshëm të ulë koën para çdo teke të shefit dhe i aftë të përtypë çdo pjatë që i serviret, nga ai që dikur e quante “vëllai i madh”.
Në shpërthimin e nervave të të burgosurit Erion, qasja është tjetër, si tek kunja që ia ngul Ramës në fillim, kur thotë se vërtet ka më pak liri se kryeministri, por ka “shumë herë më tepër dinjitet se ai”. Pastaj kur i vë në dukje paranojat se sheh kudo armiq, duke ia quajtur ato “halucinacione bolshevike”. Tjetër është fjalia që nis me “Sfidoj Kryeministrin”, kurrë ndonjëherë Veliaj i bashkisë nuk e kishte menduar se do ta artikulonte këtë pohim. Edhe në fund të mesazhi ai lëshon një sfidë kur i kërkon Ramës të paraqesë ndonjë provë për akuzën se mbështeti protestat e flamingove, duke e mbyllur me thirrjen “Ndryshe ik!”.

Letra është një deklarate lufte. Pak rreshta, por shumë mllef. Akoma më shumë urrejtje dhe një çartje, që i shkon përshtat vetëm njerëzve që nuk u ka mbetur më asgjë, ndaj janë gati të luajnë gjithçka për gjithçka. Ky është një Veliaj tjetër, i përçudnuar, larg atij djalit të urtë që buzëqeshte dhe ulte kokën para telendisjeve, që Rama enkas nuk ia kursente në publik.
A është humbja e bashkisë, shkaku i rebelimit të Erion Veliajt?

Për të vlerësuar nëse shkaku i vërtetë i rebelimit të Veliajt është kërkesa e Ramës për ta dorëzuar bashkinë e Tiranës, duhet kujtuar një moment kur kjo ndodhi vërtet.
Në shtator të vitit 2025, nën euforinë e fitores së mandatit të katërt, Rama mendoi se ishte koha që t’i mbyllte llogaritë me kryebashkiakun e arrestuar.
“Duhet të marrim vendim politik, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri në Tiranë. Duhet vënë në lëvizje mekanizmi ligjor për shkarkimin e kryetarit në detyrë”, u tha antarëve të asamblesë.
Në ato momente, Veliaj duhet të ketë qenë para televizorit, në qelinë e paraburgimit në Durrës. Deri në atë kohë nuk i kishte dhënë Ramës asnjë shkak për ta goditur. Edhe një muaj pas arrestimit, në mars 2025, kur firmosi për largimin e nënkryetares së bashkisë dhe Rama i tërhoqi veshin, kryebashkiaku bëri një hap pas. Anuloi vendimin sipas porosisë së shefit dhe e la Anuela Ristanin në detyrë.
As Rama nuk e rëndoi gjuhën në fjalimin e asamblesë, ku lëshoi idenë e shkarkimit.
“Ky nuk është një propozim që unë e bëj me zemër të lehtë” u shpreh ai.
Në atë kohë, Veliaj kishte kaluar 8 muaj i izoluar në qeli. Akuzat i shtoheshin. Miqtë sa vinte e bëheshin më të rrallë. Administrata e burgjeve nën varësinë e Ulsi Manjës i sillej me një ashpërsi të pazakontë.
Por ai sërish, uli kokën. Kafshoi gjuhën dhe nuk kundërsulmoi. Në letrën që u dërgoi këshilltarëve bashkiakë e justifikonte mentorin e tij politik me fjalët: “Shkaktar i saj (krizës) nuk është as Kryetari i Partisë Socialiste, as Partia Socialiste, as ju këshilltarë, por një vendimmarrje gjyqësore që ka ndërprerë në mënyrë të padrejtë një mandat kushtetues”.
Edhe pas shkarkimit, u mor ekskluzivisht me këshilltarët bashkiakë. Në sallën e Gjykatës Kushtetuese tha vetëm disa fjalë të përgjithshme. Përmendi se ndjehej i fyer dhe se shkarkimi erdhi “nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo tjetër”.
“Zoti i faltë! Lutem çdo natë për ta: Zot, fali, se nuk dinë ç’kanë bërë” ftha ai.
Peshorja anonte nga ky qëndrim as mish, as peshk. Ende i leverdiste që Ramën ta kishte aleat, jo armik. Kryeministri ishte njeriu më i fuqishëm në vend, ndërsa më tej priteshin disa vendime gjykatash që ndoshta mund t’i kthenin lirinë.
Rama-Veliaj, në rolet e vëllezërve politikë

Mëngjesin pas arrestimit të Erion Veliajt, Edi Rama inskenoi një gjest krejt karagjoz në rrjetet sociale. Me pretekstin se nuk kishte internet të cilësisë së mire për transmetimin direkt në rrjetet sociale, ai përplasi duart në tavolinë duke përsëritur i nervozuar nëpër dhëmbë “fuck you, fuck you”. Më mirë se 1 mijë fjalë, ky inskenim dha mesazhin se për momentin kishim një kryeministër të acaruar, të tërbuar, që nuk kontrollonte dot veten as para ekranit. Kuptohet, jo nga cilësia e dobët e internetit, por nga arrestimi në zyrë i kryebashkiakut të Tiranës.
Disa minuta më vonë në transmetim e sipër, Rama e përshkroi atë shpërthim nervash si një provë të sinqeritetit të tij bio. “Më vjen shumë mirë që ka mbetur në Instagram ai moment sepse është momenti që ndan kush është këtu me shpirt, kush është këtu me zemër” tha ai.
Të nesërmen më 11 shkurt siguroi se kryebashkiaku do ta ruante postin e tij. “Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra” premtoi ai në një prononcim për Birn.
Një ditë më pas, më 12 shkurt, kaloi në sulm ndaj gjyqtarit Erjon Bani, i ndërgjegjshëm se Veliaj po i ndiqte me dëshpërim reagimet e tij. Deputetëve të Partisë Socialiste u tha në një mbledhje të transmetuar live: “Ky gjyqtar është eksponent i afërt me lidhje familjare dhe miqësore me PD, që iu la posaçërisht shorti për dosjen e Veliajt”.
Por ç’i duhej Ramës ky teatër? Pse duhej t'i premtonte Veliajt se do ta ruante bashkinë edhe pas arrestimit? Mos vallë i druhej faktit se Veliaj dyshonte tek ai, për autorësinë e hetimit të SPAK dhe mund t'i prodhonte një "Arben Ahmetaj 2.0"?
Aktet publike të Ramës të çonnin te një sinkronizim mes lëvizjeve brenda partisë dhe hetimit të prokurorëve.
A ishte rastësi që pikërisht në shkurt të vitit 2024, sapo i ashtuquajturi Nesti Angoni dorëzoi denoncimin në SPAK, në të njëjtën kohë Edi Rama lëshoi kritikat e para për Erion Veliajn në mbledhjet e partisë, duke e krahasuar atë me “drejtuesin e një OJF-je”? A ishte rastësi që ndërsa prokurorët thellonin hetimet, Veliaj u largua prej ekipit të fushatës së Tiranës pa i dhënë asnjë arsye?
Në muajt para arrestimit, sjellja e Ramës ishte bërë me e ftohtë përkundrejt të përkëdhelurit të tij. Zërat që flisnin për mënjanim të kryebashkiakut u forcuan në korridoret e partisë.
Më pas ndodhi edhe një ngjarje që i kujtoi gjithkujt sjelljen tipike të diktatorëve të bllokut të lindjes. Pas një aktiviteti në bashkinë e Tiranës, Rama retushoi imazhin e Veliajt nga një foto e përbashkët me Ali Ahmetin dhe më pas, qëllimisht e publikoi ashtu të prerë, në rrjetet sociale.

Pak nga pak, gradat e Veliajt në PS u hoqën dhe ditën që e morën në Drejtorinë e Policisë, detyrat që mbante në strukturat e partisë ishin zëvëndësuar tashmë.
Madje edhe kur oficerët e policisë hynë në zyrën e kryebashkiakut të Tiranës për ta arrestuar, ai i hutuar kërkoi disa minuta kohë për një telefonatë. Celulari i kryeministrit doli i paarritshëm.
Pas arrestimit, lëvizjet e Ramës vazhduan në dëm të Lalit. Ai ia prehu hovin protestave të rrogtarëve të bashkisë dhe organizoi një miting, ku dukej sikur fliste për kufomën politike të Erion Veliajt. Administratës së bashkisë u dha mesazhin se Tirana tani kishte zot atë vetë.
Për Veliajn, opsioni i luftës së hapur me Ramën ishte ende i kyçur në sirtar. Thashetheme që e projektonin si lider të ardhshëm të Partisë Socialiste dukeshin shumë larg në kohë. Dallohet kjo në përgjimet që SPAK i bëri bisedave me të vëllain dhe bashkëshorten. Në to, ai kërkon vazhdimisht këshillim nga Edi Rama për reagimet në media.
“Në orën 11:09, Erion Veliaj bisedon me Ajolën dhe i kërkon që të bisedojë me KM dhe t'i thotë që Erioni ka këtë informacion…” shkruhet në një faqe të dosjes. Momentet kur përmendet KM në telefonata janë të shumta. Gjithnjë tek Rama kërkohej ndihmë, këshilla ose një koordinim më i mirë.
Naiviteti me të cilin Veliaj këmbëngulte të mos e shihte elefantin në dhomë ishte gati qesharak. Atyre që raportonin për ndonjë thyerje në marrëdhënien me Ramën, u turrej nga qelia e burgut: "Në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë".
A ishte Veliaj vërtet kaq naiv? Kjo vështirë të besohet. Por shpresa se shefi do ta ndihmonte në ditë të vështira, ishte e vetmja shpresë për të.
Detaji që e çmendi Erionin në qelinë e Fierit

Për të kuptuar metamorfozën që pësoi kryebashkiaku natën e të premtes, duhen parë disa detaje në mesazhin që i përçoi Toni Gogu. Në letrën ku Veliaj mbajti shënimet ai i referohet Ramës me R.
“R ka bërë transferimin, urdhër që ky nga konvikt duhet të bëjë burg tamam” shkruan ai. Jo vetëm kaq, por kryeministri ka kontrolluar edhe kontaktet me njerëzit e tjerë jashtë burgut. “Personalisht është marrë dhe me lejen për spital, lejet për takime, deri te aksesi tek miqtë e familja” shton ai.
Ky është konfirmim direkt se gjithçka i ka ndodhur këto dy vjet në korridoret e burgjeve ka qenë e survejuar dhe e diktuar nga Edi Rama. Veliaj përballet për herë të parë me të vërtetën. Nuk i shpëton dot më lojës që po luanin të dy bashkë. Deri atëherë, edhe ai, edhe Edi Rama i ishin fshehur njëri-tjetrit. Sidomos kur ndanin pushtet. Por tani që Rama e hoqi maskën, intriga s'ka më vlerë. Kryeministri e pranon që e ka larguar nga familja duke e transferuar në Fier. Është KM që e ka sjellë në qelitë e regjimit të posaçëm, pranë vrasësve të dënuar me burgim të përjetshëm. Për paraburgimin ai është ankuar përherë.
Kur e mbanin në qelitë e Tiranës, kërkoi të transferohej sa më parë në Durrës. Në telefonatat me familjarët e quante paraburgimin e Tiranës një “Alkatraz”.
Edhe në Durrës ishte ankuar. Në telefonatat e përgjuara nga SPAK e quante Ulsi Manjën një "qelbësirë”, një “katundar të ndyrë”. Betohej se nuk kishte për t’ía falur kurrë që e kishin futur në qeli me të dënuar të përjetshëm. “Le ta dëgjojnë të gjithë. Do ta mbys me thonj” thotë një moment në inat e sipër. “Më rrezikohej jeta” i shpjegon bashkëshortes në telefon.
Mesazhet e Toni Gogut sqarojnë atë që dihej, se Ulsi Manja ka qenë thjesht një ushtar. Edhe Toni Gogu, thjesht një korrier. Njeriu që i lëvizte marionetat në prapaskenë ka qenë përherë Edi Rama. Por a mund të kishte arritur Rama deri në SPAK? A mund t'i kishte përdorur ai prokurorët që nga fillimi i hetimeve? Përgjigjen e gjen në mesazhin e Gogut.
Rama e kërcënon me zgjatjen e dënimit me burg, praktikisht ai po pranon se e përdor ndikimin e tij në SPAK për ta rënduar më tej vitet e burgut. “Do të shtohen akuzat për prishje të rendit kushtetues nga burgu e do bësh 100 vjet burg në 313 e 302” janë fjalët që i përcjell Toni Gogu në Fier.
Kërcënimet janë të stilit mafioz. Për Veliajn ato rrëzojnë një perde, një iluzion sipas të cilit Rama nuk e kishte futur në burg, por e kishte mbështetur deri tani. Realiteti po i imponon një të vërtetë të vrazhdë, se pas burgosjes, por edhe pas linçimit të tij qëndron askush tjetër përveçse Edi Rama. As koha kur ai po e heq maskën nuk është rastësi. Kjo vjen në momentin që Veliaj është më i dobët se kurrë; i syrgjynosur në një qeli-banjo pa dritare, me miq të frikësuar, i rrethuar me vrasës të rrezikshëm dhe me 13 akuza mbi shpinë.
Letra që ka shkruan është ajo e një njeriu tashmë të ekzekutuar. Një kufomë politike që s'ka më asnjë shpresë. Por bashkë me shpresën, ka humbur edhe frika. Marrëdhënia me Ramën ka ndryshuar rrënjësisht. Ai nuk është më i nënshtruar ndaj tij as politikisht dhe as psikologjikisht. Nuk ka më arsye të durojë depersonalizimin, goditjet nën brez dhe poshtërimin. Paradoksi është se këtë liri, e ka fituar në momentin kur u bind se jeta do t'i kalojë në birucat e burgjeve. Rama tashmë ia ka dhënë dënimin "100 vjet"./Lapsi.al