E Diel, 1 Nëntor 2026

100-vjetori i Urdhrit të Skënderbeut, akordohen dekorata për 24 personalitete

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Në Pallatin e Kongreseve u përkujtua sot, në një mbrëmje solemne, 100-vjetori i Urdhrit të Skënderbeut.

Në mbrëmjen, ku ishin të pranishëm Presidenti i Republikës Bajram Begaj si dhe kryeministri Edi Rama, u zhvillua ceremonia e dekorimit të 24 personaliteteve me të tre urdhrat kombëtarë: Urdhrin Suprem të Shqiponjës, Urdhrin e Skënderbeut dhe Urdhrin e Lisit Akademik.

Dy medaljonët e parë të 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut, Kryeministri Edi Rama i shpërndau për Artan Lamen dhe Filip Rrumbullakun, duke ia dorëzuar familjarëve të tyre ndërsa i cilësoi dy shërbestarë të papërtuar të reformës kuptimlotë të titujve të nderit.

“Dy burra që nuk janë më, por që me pasionin dhe dijen e tyre mbi fushën e urdhrave, medaljeve e shenjave dhe zakoneve të tjera të shtetit, do të kujtohen si bartës besnikë të një amaneti shtetëror, që dukej i varrosur përgjithmonë nën këmbët e injorancës me pushtet. Sonte, Republika u shpreh familjeve të tyre mirënjohjen e saj për të ndjerët”, tha Rama.

Gjatë ceremonisë Begaj dekoroi 22 personalitete të tjerë.

Me Urdhrin Suprem të Shqiponjës, Presidenti i Republikës, kryetar i urdhrit, me propozim të Kryeministrit, dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, dekoroi me “Yllin e Madh”, ish-presidentin Alfred Moisiu, kirurgun Besim Elezi dhe Seit Mansakun, gjuhëtar dhe akademik.

Me “Urdhrin Suprem të Shqiponjës”, Presidenti i Republikës, kryetar i urdhrit, me propozim të Kryeministrit, dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, dekoroi “Oficeri i Madh” studiuesin Aurel Plasari, historianin Pëllumb Xhufi dhe Francesco Altimari-n, studiues arbëresh në fushën e albanologjisë.

Me “Oficer i madh” u dekoruan edhe Matteo Mandala, studiuesi i letërsisë arbëreshe si dhe Ernesto Madeo.

Me “Urdhrin e Lisit Akademik”, Presidenti i Republikës kryetar i urdhrit, më propozim të Kryeministrit, dëgjuar kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar “Ylli i Madh”, Ismet Elezin si dhe Abaz Hoxhën.

Me “Urdhrin e Skënderbeut”, Presidenti i Republikës, kryetar i urdhrit, më propozim të Kryeministrit, dëgjuar kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar Shpresa Gjongecajn, me titullin “Komandant”. E njëjta dekoratë u dha për Zyber Dushkun, Etleva Domin dhe Fioralba Cakonin.

“Urdhri Suprem i Shqiponjës”, Presidenti i Republikës, kryetar i Urdhrit, me propozim të Kryeministrit, dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar “Kalorës” Igli Taren.

“Urdhri i Skënderbeut”, Presidenti i Republikës, kryetar i Urdhrit, me propozim të Kryeministrit, dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar “Oficer” zonjën Mimoza Dhëmbi.

Presidenti i Republikës, kryetar i Urdhrit, me propozim të Kryeministrit, dëgjuar Kolegjin e Urdhrave dhe Medaljeve, ka dekoruar me titullin “Kalorës” Ajet Jatën dhe Adriana Hysenajn.

Me titullin “Kalorës” u nderuan gjithashtu Edor Kabashi, Kastriot Aliko, Gjovalin Bica dhe Liljana Luani.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›