E Diel, 1 Nëntor 2026

Fest 64 / Artisti Endri Kaçaçi ngjitet në skenë me këngën “Si unë”: Nga ky festival kanë dalë këngë ikonë, është eksperienca ime e parë

Ndërsa ditët e Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH po afrohen, emocionet rriten jo vetëm për publikun, por edhe për vetë artistët. Mes tyre është edhe këngëtari Endri Kaçaçi, i cili këtë vit ngjitet për herë të parë në skenën e festivalit me këngën “Si unë”, një krijim që ai e konsideron shumë personal dhe të mbushur me ndjesi të forta.

“Ndjehem shumë mirë dhe i emocionuar. Është eksperienca ime e parë në festival, por jam i lumtur. Kam dashur gjithmonë të marr pjesë që i vogël,” u shpreh ai.

Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, ai tha se ndihet i privilegjuar që kënga e tij është vlerësuar dhe është pjesë e 28 konkurrentëve të festivalit.

Kënga “Si unë” është një material impenjativ, të cilin këngëtari e ka përjetuar thellësisht.

“Është një këngë që e ndjej shumë. Tekstin e kam shkruar me shumë dashuri dhe pasion dhe dua që publiku ta përjetojë ashtu siç e përjetoj unë”, tha ai.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e orkestrës së festivalit, të cilën e quajti “stimuli dhe xhevahiri i skenës”, ndërsa u shpreh se po e shijon të gjithë procesin, përfshirë edhe atmosferën miqësore mes artistëve.

“Është shumë e qetë mes konkurrentëve. Nuk e shoh si konkurrim, por si një festë të madhe ku secili jep më të mirën. Konkurrencën e kam vetëm me veten”, tha ai.

Sipas tij, kënga është pritur mirë nga publiku dhe ka një melodi tërheqëse.

“Për këngën time të parë, mendoj se reagimet kanë qenë shumë pozitive. Festivali këtë vit do të jetë i suksesshëm, duke parë cilësinë e këngëve dhe të artistëve”, u shpreh artisti.

I pyetur për lidhjen me “Eurovision”-in, Kaçaçi vuri theksin se qëllimi i Festivalit të Këngës është shumë më i gjerë.

“Festivali nuk është krijuar për Eurovision-in. Së pari, dua që kënga ime të jetojë në festival, sepse prej tij kanë dalë këngë ikonë që kanë kontribuar në muzikën shqiptare. Çdo artist duhet të sjellë pjesë nga vetja”, tha ai.

Endri Kaçaçi konkurron në FEST 64 me këngën “Si unë”

Teksti: Endri Kaçaçi

Kompozimi: Irkenc Hyka

Orkestrimi: Irkenc Hyka

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›