E Hënë, 2 Nëntor 2026

108-vjetori i themelimit të Liceut Francez të Korçës

TIRANË, 25 tetor/ATSH/ Më 25 tetor 1917 çeli dyert Liceu Kombëtar i Korçës, i njohur ndryshe si “Liceu Francez”.

Në atë kohë, Korça qeverisej si “Republikë autonome”, administrohej nga vendas por nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze. Administrata e re shqiptare, që u vendos në krye të krahinës autonome, i kushtoi kujdes të veçantë çështjeve që lidheshin me arsimin.

Veprimtaria e Liceut Kombëtar të Korçës do të shtrihej përgjatë periudhës së parapushtimit italian, deri në vitin 1939.

Rrugëtimi i këtij liceu arriti të kapërcejë pengesat dhe të luajë një rol të rëndësishëm në arsimimin e të rinjve të ardhur nga mbarë vendi, edhe pse u shoqërua me problemet që rrodhën pas Luftës I Botërore.

Aktualisht është ngritur një grup pune i cili po punon në lidhje me projektin e rihapjes së Liceut Francez në Korçë. Deri më tani janë zhvilluar disa takime të Komitetit Pilotues për bashkëpunim mes institucioneve qendrore e vendore me ekspertin e qeverisë franceze.

Projekti për ringritjen e Liceut Francez është vazhdë e traditës së miqësisë të mirë mes dy vendeve dhe do të zgjerojë hapësirën për një perspektivë të re për shumë të rinj të qarkut të Korçës e më gjerë. /j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›