109 të arrestuar për manipulim zgjedhjesh në Kosovë

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me prokurorinë, ka zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.
Deri tani janë arrestuar nga policia 109 persona të dyshuar për veprën penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore dhe dhënie-marrje të ryshfetit.
Kjo pas rinumërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili nxori në pah vjedhje të mijëra votave të kandidatëve brenda partive – në total, u shtuan 40 mijë e 497 vota.
“Këtu nuk bëhet fjalë as për dhjetëra, as për qindra, por për mijëra vota të manipuluara. Bëhet fjalë edhe për situata ku vetëm në një vendvotim numri i manipuluar ka shkuar deri në 2 mijë e 444 vota“, tha Petrit Kryeziu, kryeprokurori i Prizrenit.
Deri tani, votat janë rinumëruar në tërësi në 19 komuna, ndërsa procesi i rinumërimit vazhdon. Ndonëse në disa komuna është vërejtur numër i vogël i ndryshimeve në vota, komuna e Prizrenit prin me numrin më të madh të votave të manipuluara.
Prokuroria është duke vazhduar hetimet në gjithë vendin.