“Sot, më shumë vdekje se lindje”, Berisha: Gjenerata Z ka përmbytur diktaturat, të largojmë baronin e drogës

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në fjalën e tij në sallën “Pjetër Arbnori” në selinë blu sot në 23 janar, komentoi aktualitetin politik në vend.
Berisha u shpreh se kryeministri Edi Rama ka larguar 700 mijë shqiptarë nga vendi. Më tej, Berisha i bëri thirrje gjeneratës Z, duke thënë se kjo gjeneratë ka përmbysur diktatura, kudo ata kanë ekzistuar nëpër botë.
Kreu demokrat tha se duhet të largojmë baronin e drogës në pushtet.
“Rama dhe bashkëpunëtorët e tij kanë vjedhur miliarda euro. Kombi shqiptar është në kushtet e ekzistencializmit. Nëse ecim me këtë trend, shqiptarët do konsiderohen një komb i fshirë. Sot kemi më shumë vdekje sesa lindje, sidomos në vitet e fundit. Rama ka larguar shqiptarët nga vendi, ka larguar mbi 700 mijë qytetarë. Të rinjtë sot janë në rrugët e Europës dhe botës, se në Shqipëri nuk e ndërtojnë dot të ardhmen. Në vitet 2007-2014, numri i shqiptarëve vetëm rritej. Ne nuk kishim para më shumë, por ne kishim taksa më të ulëta. Kullat e drogës nuk blihen dot nga qytetarët, sepse janë kulla të trafikut të drogës. Rama ka kthyer diktaturën, pushtetin e ka kthyer në dorën e një njeriu, ai është kryebaroni i drogës në Europë. Gjenerata Z mund të përmbysë diktaturat. Është kjo gjeneratë që po i dridh themelet Aleksandër Vuçiçit, si vëllait të Ramës. Lufta kundër diktaturës është e vështirë, por duhet të ngrihemi në lartësinë e këtij misioni e të rikthejmë dhe njëherë shpresën, besimin dhe lirinë, të drejtat, të ardhmen e shqiptarëve. Rama nuk mban zgjedhje, por i plaçkit ato, është autori i një farse elektorale. Jemi në parti-shtet, jemi thuajse në monizëm”, tha Berisha.
Foltorja e sotme e Berishës vjen një ditë përpara protestës kombëtare të Partisë Demokratike, përpara Kryeministrisë.