11 maji, Berisha: Po përpilojmë raportin që do u dërgohet ndërkombëtarëve

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, opozita nuk mund dhe nuk duhet të presë vjeshtën për të përpiluar raportin për zgjedhjet e 11 majit.
“E kam thënë dhe e them, këto zgjedhje treguan se Edi Rama është i aftë të bëjë gjithçka, të paguajë çdo çmim, për ti shndërruar në farsë. Opozita do të bëjë gjithçka për tu kthyer shqiptarëve votën e lirë”, tha ai në një konferencë për shtyp.
“Sot shqiptarët nuk kanë vetëm zërin e opozitës. Sot shqiptarët kanë zërin e 108 partive politike të Internacionales Demokrate të Qendrës. Kanë zërin e 87 partive politike të Partisë Popullore Evropiane. Kanë zërin e 83 partive politike të Bashkimit Ndërkombëtar Demokrat, të cilat paralajmëruan se Shqipëria nuk zhvillon zgjedhje, por zhvillon farsa elektorale”, tha Berisha.
“Farsa elektorale e 11 majit u paralajmërua botërisht, nga të gjithë ata që i besojnë votës së lirë. Vetëm në rezolutën e Valencias, ku kanë votuar forcat e qendrës së djathë të mbarë Evropës, sanksionohet se Edi Rama po blen vota, dhe është para datës 11 maj, po blen vota me lek, po blen vota me kanabis. Do merrni ju vesh së shpejti se cili është krimi me kanabis. Shumë shpejt do njiheni me përmasat me krimin me kanabis. Po blen vota me punësime, po blen vota me prokurorime. Defakto Valencia i hodhi në kosh zgjedhjet e 11 majit”, theksoi Berisha.
Berisha nënvizoi se, Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore po përpilon raportin të cilin do të ua paraqesë të gjitha forumeve, institucioneve ndërkombëtare dhe qeverive të vendeve të lira.
Natyrisht, shtoi kreu i PD, “fjalën e fundit do ta thonë qytetarët shqiptarë. Kush është i gatshëm të sakrifikojë për votën e lirë. Kush mendon dhe beson se, ky vend pa votën e lirë nuk ka të ardhme, duhet të ngrihemi dhe të mos pranojmë kurrë një farsë të tillë të shëmtuar, ku Xhabaftët, Troplinët, Çelët, Bajrët, diktojnë rezultatet e zgjedhjeve”.
Berisha shprehu besim në integritetin, profesionalizmin dhe kompetencën e vëzhguesve ndërkombëtarë të misionit të OSBE-ODIHR
Por, shtoi ai, “janë bërë përpjekje monstruoze për t’u bërë presion shumë të madh pikërisht për asgjë tjetër përveçse për raportin që kanë shkruar. Janë bërë ndërhyrje në nivelet më të larta me telefona dhe rrugë të ndryshme, por përsëri besimi im është i madh tek ata zyrtarë të mbledhur nga shumë vende, midis tyre edhe parlamentarë të tre institucioneve kryesore ndërkombëtare, se Edi Rama nuk do mundet kurrë të diktojë dhe as të ndryshojë raportin e tyre, përkundrazi ne do e pasurojmë atë raport me qindra e qindra dokumente”.
“Unë kam besim të madh sepse me të vërtetë ka njerëz për të cilët vota nuk ka rëndësi, por këta janë një pakicë e pakicës së pakicës. Në tërësi në vendet e lira, vota është themel i shtetit ligjor, themel i lirive të njeriut”, tha Berisha. /gj.m /a.g/