E Martë, 3 Nëntor 2026

PD ankimon rezultatin në Kukës, kërkon përsëritjen e zgjedhjeve

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Partia Demokratike ka dorëzuar zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kërkesën për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në qarkun e Kukësit, duke kërkuar përsëritjen e tyre. Ankimimi është bërë nga përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ, Franc Nuri.

Në dokumentin e dorëzuar, PD rendit një sërë shkeljesh që, sipas saj, cenuan rëndë procesin zgjedhor në këtë qark, duke theksuar se “përdorimin e aseteve shtetërore gjatë fushatës në funksion të një partie politike, shitblerjen e votës dhe parregullsitë me votën e emigrantëve”.

“Në Qarkun Kukës, përdorimi i administratës publike dhe shtetërore si “makineri zgjedhore” ka qenë i përhapur dhe intensiv, duke krijuar një mjedis krejtësisht jo-transparent dhe të pabarabartë. Kjo “makineri” administrative vepron në bazë të një logjike klienteliste: pagesa e shërbimeve publike, mirëmbajtja e rrugëve ose shpërndarja e ndihmave sociale janë kthyer në monedhë këmbimi për vota. Si rrjedhojë, qytetarët e Kukësit, por edhe të gjithë Shqipërisë, janë vënë përballë zgjedhjesh jo të lira, por “të blera” ose “të imponuara”, ku shpërblimi – real ose i premtuar – lidhej direkt me mbështetjen për subjektin në pushtet”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e PD-së.

Sipas Partisë Demokratike, këto shkelje e kanë deformuar vullnetin e votuesve dhe e bëjnë të domosdoshme përsëritjen e procesit zgjedhor në Kukës. KQZ pritet të shqyrtojë ankimimin në ditët në vijim.

“Më tej, përdorimi i bandave kriminale dhe i grupeve të dhunshme për të frikësuar votuesit është kulmi i këtij sistemi. PD-ASHM ka denoncuar raste ku këta individë kanë patrulluar zonat rurale, kanë bllokuar rrugë dhe kanë ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi individë apo familje, duke u imponuar veprime apo mosveprime të caktuara”, thekson PD.

PD shton “në këtë kontekst, zgjedhjet në Shqipëri nuk janë më një mekanizëm përfaqësues i demokracisë, por një farsë elektorale ku rezultati parapërcaktohet nga instrumentet e pushtetit”.

PD thekson po ashtu se problematikë në këtë qark mbetet edhe procesi i votimit të Diasporës, ku sipas PD-së “në ditën e shqyrtimit të ankesave, as Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe as kompania postare ndërkombëtare DHL nuk kanë vënë në dispozicion asnjë provë që të vërtetojë përmbushjen e detyrimit ligjor për dërgimin e zarfeve me fletët e votimit në adresën e regjistruar në KQZ për secilin votues të regjistruar nga Diaspora”.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›