113-vjetori i Policisë së Shtetit, Fier-Hitaj: Garantimi i sigurisë publike, misioni i përmbushur me devotshmëri

Në kuadër të 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit (13 janar 1913–2026) është mbajtur ceremonia e nderimit të kësaj date edhe në qytetin e Fierit.
Në fjalën e tij, drejtuesi i Policisë së Qarkut Fier Skënder Hitaj tha se në 113 vite të historisë së Policisë së Shtetit , efektivët e policisë janë njohur për shpirtin e devotshmërise dhe sakrificave.
Ky përvjetor shënon 113 vite histori, suksesesh, sakrificë dhe përkushtimi.
Sipas drejtorit Hitaj misioni i Policisë së Shtetit gjatë këtyre 113 viteve ka qenë garantimi i rendit dhe sigurisë publike, mision i cili është përmbushur me devotshmëri.
“Siguria nuk është përgjegjësi e vetëm një institucioni, por një angazhim i përbashkët në shërbim të komunitetit. Në këtë përvjetor të rëndësishëm përulemi para kujtimit të dëshmorëve të policisë, të cilët dhanë jetën në krye të detyrës, sakrifica e tyre mbetet busull morale dhe motiv i përhershëm për çdo punonjës policie. U drejtohem punonjësve të rinj të policisë së Shtetit duke inkurajuar që profesionin që kanë zgjedhur ta ushtrojnë me ndershmëri, integritet dhe përkushtim maksimal sepse policia nuk është thjesht një punë por në shërbim të qytetarëve dhe rendit”, u shpreh Hitaj.
Gjithashtu, Hitaj shtoi se 113-vjetori e gjen Policinë e Fierit në shërbim të komunitetit me parandalimin e ngjarjeve kriminale, zbulueshmeri të lartë të krimit, por mbi të gjitha edhe me një punë të madhe dhe sfida për t’u përmbushur në të ardhmen, për garantimin e jetës dhe sigurisë së rendit.
Ndërkaq, më herët drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në fjalën e mbajtur në ceremoninë për 113-vjetorin e Policisë së Shtetit, ka vlerësuar krijimin e këtij institucioni, duke e cilësuar si një histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi.
“Sot nuk festojmë një përvjetor, por nderojmë një histori e një institucion që qëndron në këmbë përballë sfidave., Pa rend nuk ka liri dhe pa siguri nuk ka të ardhme. Kjo e vërtetë ka udhëhequr për 113 vite misionin e Policisë së Shtetit, gur themeli i rendit, ligjit, stabilitetit shoqëror dhe simbol i bashkimit kombëtar.
Organizata jonë ka përballuar sfida të mëdha por duke ruajtur me fanatizëm misionin e saj: mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarit. Rrugëtimi i saj histori sakrifice, guximi dhe përkushtimi”, tha Proda.
Ai theksoi se gjatë këtyre viteve, 231 punonjës policie, dëshmorë, dhanë jetën për të mbrojtur qytetarët dhe ligjin, duke krijuar bazamentin mbi të cilin ndërtohet besimi dhe identiteti institucional.
“Gjatë 113 viteve, 231 punonjës policie, 231 dëshmorë, dhanë gjithçka duke vendosur jetën e tyre mbi çdo rrezik për të mbrojtur qytetarët dhe ligjin. Akti i tyre sublim krijoi bazamentin mbi të cilin ndërtohet besimi, forca morale dhe identiteti ynë institucional. Ata janë motivi i misionit tonë dhe krenaria e Policisë, emri i tyre është i skalitur në historinë e kombit tonë”, shtoi ai.
/rtsh.al/