13 të Martat e Shna Ndout, Jaku për ATSh-në: Rreth 600 mijë besimtarë gjatë pelegrinazheve

TIRANË, 5 maj/ATSH – Ermira Isufaj/ Në çdo të martë që i paraprin festës së Shna Ndout, rrugët që çojnë drejt kishës mbushen me besimtarë nga të gjitha trevat shqiptare. Tradita e njohur si “13 të martat e mira” nuk është thjesht një ritual fetar, por një dëshmi e besimit, shpresës dhe përkushtimit që ka mbijetuar ndër breza.
Që në orët e para të mëngjesit, pelegrinët nisin rrugëtimin e tyre, shumë prej tyre në këmbë, duke përballuar lodhjen dhe sakrificat si pjesë e devocionit ndaj shenjtit të tyre. Atmosfera përreth kishës merr një dimension të veçantë, lutje të pëshpëritura, qirinj të ndezur dhe fytyra të mbushura me emocione krijojnë një panoramë që prek çdo vizitor.
Një besimtare thotë për ATSh-në se “prej 13 vitesh vjen çdo vit në këtë kishë. Këtu gjej paqe dhe forcë. Është një lidhje që nuk shpjegohet me fjalë”.
Priftërinjtë që udhëheqin meshat theksojnë rëndësinë shpirtërore të këtij pelegrinazhi, duke e konsideruar atë një moment reflektimi dhe afrimi me Zotin.
Prifti françeskan Landi Jaku në një intervistë për ATSh-në u shpreh se në kishën e Shna Ndout ndër vite kanë ndodhur mrekulli.
“Sipas traditës, themelimi i këtij vendi të shenjtë lidhet me shpellën e Shën Vlashit, që daton që në shekullin IV pas Krishtit. Aty ka jetuar ipeshkvi Shën Vlash, në një kohë kur të krishterët përballeshin me persekutime të shumta”, shprehet ai.
Prift Jaku tregon se për shkak të këtyre përndjekjeve, Shën Vlashi u detyrua të largohej dhe të strehohej në pyjet e zonës së Shën Vlashit në Durrës, ku më pas u gjet dhe u martirizua. “Atij i prenë kryet dhe sot ai vend konsiderohet i shenjtë, ku ndodhet edhe një manastir ortodoks”, shton prifti.
Duke folur për praninë e françeskanëve, Jaku thekson se “ne jemi këtu që nga fundi i shekullit XIII, në shërbim të këtij vendi dhe të besimtarëve. Gjithmonë i kemi ftuar ata t’i drejtohen Zotit me lutje, sepse me ndihmën e Tij ndodhin mrekulli”.
Sipas tij, devocioni ndaj Shna Ndout është rritur ndjeshëm ndër vite, veçanërisht përmes traditës së “13 të martave”. “Shën Ndou i Padovës ka ndërruar jetë më 13 qershor 1231. Për këtë arsye, ne përgatisim zemrën për festën përmes 13 të martave radhazi, me më shumë lutje dhe meshë”, shpjegoi ai.
Prifti Jaku theksoi se festa e Shna Ndout mbledh çdo vit qindra-mijëra besimtarë. “Janë rreth 500 deri në 600 mijë pelegrinë që vijnë këtu, çka tregon besimin e madh që njerëzit kanë.”
Ai u ndal edhe tek dëshmitë për mrekulli, duke përmendur një rast konkret.
“Mbaj mend një vajzë me probleme të rënda psikike, që e kam parë me sytë e mi. Ajo hante dhé dhe gurë, por vendosi të vinte gjatë 13 të martave dhe Zoti bëri mrekulli me të. Sot ajo është e martuar dhe ka një fëmijë”, tha Jaku.
Përtej aspektit fetar, “13 të martat e mira” kanë edhe një ndikim të dukshëm social dhe kulturor. Zona përreth gjallërohet nga vizitorët, ndërsa tregtarë të vegjël ofrojnë produkte tradicionale, duke krijuar një atmosferë që ndërthur besimin me jetën e përditshme.
“13 të Martat e Shna Ndout” nuk janë vetëm një ritual, ato janë një udhëtim i brendshëm, dëshmi e shpresës që vazhdon të jetojë në zemrat e mijëra besimtarëve.
Pelegrinazh në Kishën e Laçit - Foto: Florian Abazaj 1 nga 41/e.i/a.f/r.e/