E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet plan me tetë masa për formalizimin e turizmit, informacion edhe nga Booking e Airbnb

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Administrata Tatimore miratoi Planin Sektorial të Turizmit për vitin 2026, një paketë e gjerë masash që synon formalizimin e plotë të sektorit, rritjen e përputhshmërisë tatimore dhe forcimin e kontrolleve ndaj informalitetit, përmes përdorimit të analizës së riskut dhe teknologjive digjitale.

Plani është miratuar nga Komiteti i Riskut dhe vjen në një moment kur sektori i turizmit vijon të shënojë rritje të qëndrueshme dhe të mbetet një nga kontribuuesit kryesorë në ekonominë e vendit.

Megjithatë, sipas DPT-së, informaliteti, mosdeklarimi i saktë i të ardhurave dhe përdorimi i skemave të pagave fiktive vijojnë të mbeten sfida të rëndësishme.

Në fokus të planit është rritja e qarkullimit të deklaruar dhe përfshirja më e gjerë e tatimpaguesve në sistemin formal, duke u mbështetur në të dhëna reale mbi aktivitetin ekonomik, kapacitetet akomoduese dhe numrin e punonjësve.

Administrata Tatimore ka përcaktuar tetë drejtime kryesore veprimi për zbatimin e planit në sektorin e turizmit.

Së pari, do të synohet rritja e qarkullimit të deklaruar krahasuar me vitin 2025, duke forcuar regjistrimin në TVSH mbi bazën e të dhënave reale të aktivitetit, përfshirë kapacitetet akomoduese dhe stafin e punësuar.

Po ashtu, do të përmirësohet evidentimi i punonjësve të deklaruar, me synim saktësimin e marrëdhënieve të punës, kategorizimin profesional dhe oraret reale të angazhimit.

Gjithashtu parashikohet ulja e praktikave të pagave fiktive, përmes reduktimit të tatimpaguesve që deklarojnë paga minimale të pajustifikuara dhe rishikimit të profesioneve dhe pagave indikative.

Do të rritet baza e tatimpaguesve që operojnë me TVSH, veçanërisht në normat 6% për akomodimin dhe 20% për baret, restorantet dhe shërbimet e tjera turistike.

Njëkohësisht, synohet formalizimi i tregut përmes reduktimit të subjekteve joformale dhe monitorimit të aktiviteteve në stacionet e plazheve, si dhe përmes kontrollit të platformave digjitale si Booking dhe Airbnb.

Përmes këtij plani do të forcohet digjitalizimi i kontrollit tatimor, me integrimin e sistemeve si CPCM dhe e-Filing, si dhe përdorimin e të dhënave nga platforma të palëve të treta në kohë reale.

Plani parashikon zgjerimin e vëmendjes ndaj turizmit alternativ, përfshirë agroturizmin, turizmin malor, kulturor dhe bregdetar jostandard, si sektorë me potencial të lartë zhvillimi.

Ndër të tjera, do të rritet deklarimi i tatimeve mbi të ardhurat personale dhe tatimit në burim (DIVA/TAPB), veçanërisht nga individët që përfitojnë të ardhura përmes platformave si Booking dhe Airbnb.

Në dokument theksohet se zbatimi i planit do të mbështetet në një qasje të strukturuar me tri faza: identifikim dhe ndërgjegjësim i tatimpaguesve, verifikim dhe monitorim i aktiviteteve në terren dhe në platformat digjitale, si dhe vlerësim e raportim i rezultateve.

Administrata Tatimore bën të ditur se do të përdorë një sistem të avancuar të analizës së riskut, i cili do të mundësojë kategorizimin e tatimpaguesve sipas sjelljes fiskale, krahasimin e xhiros me numrin e punonjësve dhe monitorimin e qarkullimit sipas orareve të aktivitetit.

Sipas planit, objektivi final është konsolidimi i një sektori turistik të formalizuar, me transparencë të plotë fiskale dhe integrim të plotë në sistemin tatimor shqiptar, duke ulur ndjeshëm nivelin e informalitetit dhe duke rritur të ardhurat buxhetore nga ky sektor.

Administrata Tatimore u kërkoi tatimpaguesve që operojnë në sektorin e turizmit të marrin masat e nevojshme për të siguruar përputhshmërinë me legjislacionin tatimor në fuqi, me qëllim shmangien e masave administrative dhe penalitetet që rrjedhin nga mosrespektimi i detyrimeve ligjore.

1 nga 8

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›