“148 vjet nga Lidhja e Prizrenit, Begaj: Shprehja më e lartë e ndërgjegjes sonë kombëtare!

Sot shënohen 148 vjet nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngjarja më e rëndësishme e shekullit XIX në historinë e shqiptarëve dhe momenti që shënoi fillimin e organizimit politik kombëtar për mbrojtjen e trojeve dhe të identitetit shqiptar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale presidenti Bejram Begaj thekson se Lidhja e Prizrenit ishte shprehja më e lartë e ndërgjegjes kombëtare dhe e përpjekjeve të Rilindësve për bashkimin dhe pavarësinë e shqiptarëve.
“148 vjet më parë, në Prizren u mbajt Lidhja e Prizrenit. Lidhja ishte shprehja më e lartë e ndërgjegjes sonë kombëtare, tempull i përpjekjeve të Rilindësve për bashkimin dhe pavarësinë e shqiptarëve nën një shtet të vetëm”, shkruan Begaj në rrjetet sociale.10 qershori është një datë me shumë peshë në historinë e kombit shqiptar. Në vitin 1878 të kësaj date u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit. Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz Pashë Dibra, ndërsa programi politik ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë. Lidhja e Prizrenit përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar.
Asokohe, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Kjo lidhje synonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, shpalljen e ndarjes përfundimtare nga sundimi osman, si dhe të dëshmonte në mbarë opinionin publik europian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare.