E Diel, 1 Nëntor 2026

15 bashki marrin financime për herë të fundit në 2027, fondet kalojnë te bashkitë e reja pas reformës territoriale

15 bashki marrin para nga buxheti i shtetit për herë të fundit në 2027-ën. Reforma territoriale pritet të ndryshojë jo vetëm hartën e pushtetit vendor, por edhe mënyrën se si shpërndahen paratë për bashkitë, pasi këto 15 bashki që do të marrin para, do të mund t’i përdorin ato deri në shtator të vitit të ardhshëm, dhe më pas fondet do t’u kalojnë bashkive të reja që do të krijohen në vjeshtën e ardhshme.

Bashkitë do të menaxhojnë vitin e ardhshëm një buxhet prej 114 miliardë lekësh, ku gati gjysma e fondeve rreth 56 miliardë lekë është transfertë nga buxheti i shtetit. Prej këtij fondi rreth 6 miliardë lekë u jepen 15 bashkive që pritet të mbeten vetëm qytete në kuadër të reformës së re territoriale.

Kështu, bashkia Maliq që merr 796 milionë lekë transfertë për 2027, vlera më e lartë kjo në raport me të tjerat që shkrihen, do t’i shpenzojë deri në shtator. Pjesën e mbetur do t’ia kalojë bashkisë së Korçës, ndërsa vetë Maliqi mbetet vetëm qytet. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me njësitë vendore të tjera të cilat, fondet e papërdoruara ia transferojnë bashkive pritëse.

BUXHETI PËR 15 BASHKITË QË SHKRIHEN

Maliq                          796,950 lekë

Divjakë                       574,985 lekë

Përrenjas                    485,588 lekë

Cërrik                         452,231 lekë

Selenicë                      429,123 lekë

Dimal                          428,667 lekë

Patos                           416,647 lekë

Rrogozhinë                 396,151 lekë

Klos                            362,207 lekë

Belsh                          349,115 lekë

Memaliaj                    317,526 lekë

Fushë Arrëz                299,174 lekë

Poliçan                        287,809 lekë

Këlcyrë                       218,706 lekë

Libohovë                    138,308 lekë

Total                        5,953,187 lekë

Në relacionin e projektbuxhetit, thuhet se prioriteti i vitit 2027 do të jetë avancimi në procesin e decentralizimit dhe të zbatimit të reformës së re administrativo territoriale, duke forcuar kapacitetet administrative dhe ofrimin e shërbimeve vendore.

Gjithashtu sqarohet se vitin tjetër do të ndryshojë edhe formula se si ndahet buxheti për bashkitë. Aktualisht fondet që shkojnë për bashkitë si transfertë e pakushtëzuar bazohen në treguesit e numrit të popullsisë, dendësisë së saj, si dhe numrit të nxënësve dhe rregullohen më tej duke ndjekur një ekuacion financiar bazuar në kapacitetin fiskal të bashkisë për të rritur të ardhurat. Por me uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, edhe kjo formulë do t’i përshtatet ndarjes së re.

“Forcimi i mekanizmit të ekualizimit fiskal, duke marrë në konsideratë jo vetëm diferencat në nevojat për shpenzime, por edhe diferencat në kapacitetin potencial fiskal të bashkive. Në këtë mënyrë synohet një shpërndarje më e drejtë e burimeve dhe mbështetje më e madhe për njësitë me kapacitete fiskale më të kufizuara”, thuhet në relacion.

Sa i takon të ardhurave, në 2027-ën pushteti vendor pritet të mbledhë në total 58,6 miliardë lekë me rritje 1.2% krahasuar me të ardhurat e pritshme për gjithë vitin aktual, me kontribut të rëndësishëm nga taksa e pronës dhe ajo e pasurive të paluajtshme./shqiptarja.com

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›