Nisin punimet për pedonalen e re në Lezhë, projekt transformimi urban për qytetin - ATSH -
TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Punimet për ndërtimin e pedonales së re në Lezhë kanë hyrë në fazën e zbatimit, në kuadër të një projekti transformimi urban për këtë qytet.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga punimet, ndërsa u shpreh se ky është një projekt transformimi urban, që do t’i japë qytetit më shumë hapësira publike, gjelbërim, shëtitore dhe zona moderne për qytetarët e vizitorët.
Plani i transformimit përfshin ndërtimin e një parkingu nëntokësor dhe të një parku të madh rekreativ mbi të, pranë stadiumit, rikualifikimin e shëtitores “Gjergj Fishta” dhe të lagjes “Besëlidhja”, e cila synohet të kthehet në një zonë moderne biznesi.
Ndërhyrjet parashikojnë edhe zgjatimin e shëtitores së Drinit deri në det, ndërtimin e pedonales dhe parkut në lagjen “Nënë Tereza”, si dhe krijimin e këndeve të lojërave në lagjet e qytetit.
Projekti synon të rrisë mundësitë për argëtim dhe çlodhje, si dhe të përmirësojë cilësinë e hapësirave publike, duke e bërë Lezhën më tërheqëse për banorët dhe vizitorët.
/e.i/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
