150-vjetori i lindjes së Faik Konicës, prezantohen në Korçë libra, letra origjinale dhe fotografi të rralla

Në kuadër të 150-vjetorit të lindjes së Faik Konicës, në Korçë janë ekspozuar për herë të parë libra nga biblioteka e tij personale, tetë letra origjinale dhe fotografi të rralla. Dokumentet hedhin dritë mbi formimin intelektual, marrëdhëniet dhe jetën e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare.
Aktiviteti “Faik Konica – Trashëgimia e një biblioteke” u organizua nga Biblioteka Publike “Thimi Mitko”, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Ekspozita përfshin libra që i përkisnin bibliotekës personale të Konicës, dokumente dhe fotografi origjinale.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Majlinda Toçi, shpjegoi se bëhet fjalë për libra të përzgjedhur nga vetë Konica për bibliotekën e tij personale, të cilët dëshmojnë ndikimet në formimin e ideve dhe personalitetit të tij.
“Kjo pjesë e bibliotekës vetjake të Faik Konicës na tregon shumë për këtë figurë komplekse. Janë libra që i përkasin bibliotekës së tij personale dhe që dëshmojnë cilët shkrimtarë dhe botime kanë formësuar idetë e personalitetin e tij. Sot kjo bibliotekë vjen për herë të parë në Bibliotekën Publike ‘Thimi Mitko’ të Korçës”, thotë Majlinda Toçi.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e ekspozitës janë tetë letra origjinale të Faik Konicës, të shkruara në periudhën 1921–1929. Historiani Niko Kotherja bëri të ditur se dy prej tyre janë pjesë e korrespondencës me Rauf Ficon, ndërsa të tjerat me Pandeli Caleçon.
“Kam sjellë tetë letra origjinale të Faik Konicës, që datojnë nga vitet 1921–1929. Dy janë korrespondenca me Rauf Ficon, ndërsa pjesa tjetër me Pandeli Caleçon. Në këto letërkëmbime shfaqen detaje më pak të njohura nga jeta e tij, fotografitë e realizuara në studiot amerikane dhe marrëdhëniet me personazhe të rëndësishëm të kohës”, thotë Niko Kotherja.
Ekspozita përfshin gjithashtu dy fotografi origjinale të Konicës, të realizuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes librave, letërkëmbimeve dhe dokumenteve, aktiviteti synon të sjellë një këndvështrim më të plotë mbi jetën dhe trashëgiminë intelektuale të një prej personaliteteve të kulturës shqiptare.
Lajme të Sugjeruara