185-vjetori i lindjes së Abdyl Frashërit, Spiropali: Ideologu më i denjë i Rilindjes Kombëtare

Me rastin e 185-vjetorit të lindjes së Abdyl Frashërit, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali e ka cilësuar atë si një prej ideologëve më të denjë të Rilindjes Kombëtare.
“Sot, në 185-vjetorin e lindjes së Abdyl Frashërit, kujtojmë kontributin e vyer politik të njërit prej ideologëve më të denjë të Rilindjes Kombëtare”, shkruan ajo në mesazhin e saj.
Ajo thekson më tej se Abdyl Frashëri ishte i pari që e ktheu ideologjinë rilindase në projektin e parë politik pas epokës së Skënderbeut, duke i dhënë jetë Lidhjes së Prizrenit. Ndërsa vë në dukje se “burra të tillë shteti japin përherë mësimin se çdo reflektim ideologjik mbetet i përtharë, përderisa nuk shndërrohet në veprim politik”.
“Sot, në 185-vjetorin e lindjes së Abdyl Frashërit, kujtojmë kontributin e vyer politik të njërit prej ideologëve më të denjë të Rilindjes Kombëtare. Guxoj të pohoj se ndër vëllezërit Frashëri dhe rilindasit e tjerë, Abdyli ishte i pari që e ktheu ideologjinë rilindase në projektin e parë politik pas epokës së Skënderbeut, duke i dhënë jetë Lidhjes së Prizrenit.
Besëlidhja e Lezhës dhe Lidhja e Prizrenit, ngjarje kjo e fundit aq hijerëndë sa që Atë Gjergj Fishta i thuri lavde te “Lahuta e Malcisë,” janë të vetmet projekte politike reale shtetformuese para Pavarësisë së Shqipërisë. Si Kryetare e Kuvendit, e ndjej si përgjegjësi morale dhe politike të përkujtoj Abdyl Frashërin, i cili i dha jetë sytheve të para të historisë parlamentare shqiptare”, shkruan Spiropali.
Spiropali shkruan gjithashtu se kujton me respekt “të thellë një detaj që duket se ka ndjekur si peshë kryqi të gjithë politikanët e mëdhenj idealistë shqiptarë: persekutimin e ashpër. Në pranverën e vitit 1881, kur osmanët shtypën Lidhjen e Prizrenit, ai u arrestua dhe më vonë u internua, derisa ndërroi jetë në vitin 1892. Burra të tillë shteti japin përherë mësimin se çdo reflektim ideologjik mbetet i përtharë përderisa nuk shndërrohet në veprim politik”.
/rtsh.al/