Sesioni i ri parlamentar, Dogjani: Institucion pa transparencë që është kthyer në noter të qeverisë

Sesioni i ri parlamentar pritet të nisë më 12 shtator, por deputeti demokrat, Asllan Dogjani nuk duket optimist për ndryshimin e debatit politik brenda këtij institucioni. I ftuar në studion e RTSH24, Dogjani tha se në parlament nuk ka transparencë, duke akuzuar se ky institucion po shërben, sipas tij, si noter i qeverisë.
“Në parlament mungon debati real, nuk ka transparencë. Deputetët e maxhorancës nuk janë të pavarur siç e kërkon Kushtetuta. Fakti që deputetët e maxhorancës nuk kanë guxim të kritikojnë një projektligj, të japin një mendim ndryshe nga projektligjet e propozuara nga qeveria, tregon se nuk kemi një institucion të pavarur, por është noter i qeverisë. Aty vijnë projektligje të porositura nga grupe apo individë të caktuar dhe nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve”, u shpreh ai.
Ndalur te ndryshimet e dakordësuara mes palëve për Kodin e ri Zgjedhor, Dogjani tha se ai nuk ishte dakord për këtë kompromis. Sipas tij, kjo lloj reforme do ta largojë edhe më shumë deputetin nga qytetari.
“PD e ka kërkuar që të jetë një sistem me lista të hapura, por nuk u pranua nga maxhoranca dhe u gjet një mënyrë, por nuk është që nuk ishte dëshira e PD që të bënte një reformë zgjedhore që t’i shërbejë qytetarëve, por duke qenë përballë faktit që kërkon shumicë të cilësuar, u gjet një zgjidhej dhe ranë në këtë konsensus, por që për mua është gabim. Kjo lloj reforme do ta largojë më shumë deputetin nga qytetarët, partia do të ketë më shumë servilë rrethe rrotull dhe në këtë mënyrë përfitojnë partitë jo qytetarët. Këtë e ka dashur Edi Rama sepse kërkon të mbajë në kontroll deputetët e tij”, theksoi Dogjani.
Një koment deputeti e kishte edhe për rishikimin e buxhetit për vitin 2024, duke akuzuar qeverinë për korrupsion.
“27 miliardë lekë janë të ardhura jo të nxjerra nga xhepi i Edi Ramës. Jemi në vitin 2024, ka 12 vite në pushtet dhe mbledh para për ujësjellësit, për bujqësinë. Bujqësia është mizerabël, ndërkohë ne kemi mundësi të mëdha për të zhvilluar bujqësinë. Do subvencionojnë bujqësinë, apo do t’i vjedhin prap? Korrupsioni është i jashtëzakonshëm, ata vodhën fondet e BE-së. Arsimi është mizerabël, që në çerdhe kërkojnë para për ta çuar fëmijë. Sistemi shëndetësor, siç e pamë me rastin e Onkologjikut, vdesin njerëzit pa marrë ilaçe”, deklaroi Dogjani.
/rtsh.al/