E Hënë, 2 Nëntor 2026

250 të rinj “zbarkojnë” në Kuvend për 8 Dhjetorin. Spahiu: Forca ndryshuese e një kombi qëndron te rinia e tij

Në kuadër të Ditës së Rinisë, nën moton “Rrugët e Rinisë 2030”, 250 të rinj dhe të reja nga Këshillat Vendore Rinore dhe Këshillat Studentorë zhvilluan një vizitë të posaçme në Kuvendin e Shqipërisë, ku patën mundësinë të takohen me politikëbërës, deputetë të rinj dhe përfaqësues institucionalë.

Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, në fjalën e saj përshëndetëse, theksoi simbolikën e datës 8 dhjetor, një moment historik që shënoi kthesën më të rëndësishme të vendit me lëvizjen studentore të vitit 1990.

“Kjo sallë kurrë nuk ka qenë më e bukur dhe emocionuese sa sot. 250 të rinj dhe të reja nga i gjithë vendi kanë ardhur në Kuvendin e Shqipërisë për të përfaqësuar me prezencën e tyre zërin e rinisë shqiptare. Sot në këtë sallë ku marrin vendimet më të rëndësishme për vendin përulemi me respekt para një date simbolike që simbolizon periudhën më të rëndësishme të vendit. 8 dhjetori na kujton se forca ndryshuese e një kombi qëndron te rinia e tij. 35 vite më parë zërat e të rinjve hapën rrugën e një epoke të re. Lëvizja studentore nuk kishte pushtete por kishin forcën e guximit. Sot kemi detyrimin institucional, politik dhe atë qytetar që këtë guxim ta shndërrojmë në politika konkrete, mbështetje reale dhe politika të reja për pjesëmarrjen e të rinjve”, tha ajo.

Ajo theksoi se institucionet kanë sot detyrimin të kthejnë këtë guxim në politika konkrete, mbështetje reale dhe hapësira të reja për pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje.

“Rinia shqiptare nuk ka nevojë për retorikë, por për rezultate. Njësoj si Kuvendi, çdo institucion ka nevojë të krijojë hapësira për të rinjtë, dhe ju duhet të vijoni angazhimin tuja. Sot më shumë se kurrë motoja e 8 dhjetorit 1990 “e duam Shqipërinë si gjithë Europa” e kemi në vesh më shumë se kurrë. Shqipëria po ecën me hapa të vendosur drejt BE-së dhe procesi integrimit është një projekt rinor, që rrit standardet, meritën, transparencë dhe inovacioni. Rritja e rolit të rinisë në qeverisjen vendore dhe qendrore është domosdoshmëri për një Shqipëri më moderne, më demokratike dhe më gjithëpërfshirëse”, u shpreh Spahiu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›