Ura e Matit hapet brenda këtij viti – Janë kryer 60 % e punimeve në përforcimin dhe rikonstruksionin e saj

Ura mbi lumin Mat në rrugën kombëtare Lezhë–Milot po ri konstruktohet prej një muaji dhe pritet të hapet për qarkullim brenda këtij viti. Deri tani është realizuar rreth 60% e punimeve në bazament, megjithëse prurjet e lumit kanë vështirësuar procesin.
Ndërhyrjet përfshijnë pastrimin e pilotëve, mbrojtjen e elementëve të dëmtuar dhe forcimin e zonave të gërryera përmes një qilimi me blloqe gabioni, me qëllim shmangien e dëmtimeve të tjera.
“Aktualisht po punojmë në disa fronte pune, kemi rreth disa skavator dhe disa grupe pune që po punojnë me disa procese që të mbarohet sa më shpejt”, u shpreh Arben Doda, Drejtues i punimeve.
Banorët e zonës kërkojnë hapjen sa më të shpejtë të urës së Matit, pasi mbyllja ka krijuar probleme të mëdha në lëvizjen e tyre.
Gjatë verës, për shkak të dëmtimeve të shumta, Autoriteti Rrugor Shqiptar vendosi bllokimin e qarkullimit dhe akordoi një fond emergjent prej 107 milionë lekësh për rikonstruksionin e saj. Ura, e ndërtuar në vitin 1982 dhe e gjatë 844 metra, mbetet një nga më të mëdhatë në vend.
/rtsh.al/