27 vite nga masakra e Shtuticës, Haxhiu dhe Kurti: Serbia kreu gjenocid, drejtësia të veprojë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti kanë zhvilluar sot homazhe në nderim të dëshmorëve në 27-vjetorin e masakrës në Shtuticë.
Në fjalën e saj para mediave, Haxhiu akuzoi Serbinë për gjenocid ndaj popullatës së pafajshme civile në Kosovë.
“Vrasjet e foshnjave, fëmijëve, vajzave, grave e pleqve janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Më 30 prill 1999, në mbrojtje të civilëve të paarmatosur dhe të pafajshëm, ranë 42 ushtarë të UÇK-së, tashmë dëshmorë të kombit. Në mesin e tyre ishte edhe heroi Ilaz Kodra, i cili udhëhoqi Brigadën 114. Janë ata që e bënë të mundur që sot ta kemi shtetin e Kosovës, lirinë dhe pavarësinë”, tha ajo.
Nga ana e tij, Kurti kërkoi drejtësi për këtë masakër dhe ndëshkimin e përgjegjësve të krimeve të kryera gjatë luftës.
Ai deklaroi se edhe pas 27 vjetësh po shënohen përparime në arrestimin dhe gjykimin e atyre që i cilësoi si kriminelë serbë, përfshirë edhe gjykime në mungesë.
“Ka përparime sa i përket fatit të të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë, por edhe sa i përket ndëshkimit të kriminelëve të Serbisë. Duhet bërë më shumë dhe duhet vepruar më shpejt nga Prokuroria dhe Gjyqësori. Dëshmitë janë këtu, por dëshmitarët po plaken, e shumë prej tyre edhe po vdesin. Prandaj duhet të ngutemi që drejtësia të vihet sa më parë në vend”, tha Kurti.
Ai shtoi më tej se, gjenocidi i Serbisë në vitet 1998-1999 ishte i katërti dhe i fundit, por sipas tij, paraprakisht kanë ndodhur edhe tri të tjera ndaj popullit shqiptar ndër breza.
“Siç thuhet edhe në këtë memorial, gjaku i tyre është shndërruar në dritën e lirisë që na e ndriçon rrugën përpara, na e përkujton prej nga vijmë dhe na e bën të qartë se ku shkojmë. Republika e Kosovës, demokratike dhe e pavarur, shtet i orientuar drejt BE-së dhe NATO-s, i ka rrënjët e lirisë dhe themelet e institucioneve në gjakun e këtyre dëshmorëve dhe martirëve”, theksoi ai.
/rtsh.al/