Kosova drejt kutive të votimit, 7 qershori caktohet si data e zgjedhjeve të parakohshme

Pas një maratone konsultimesh me spektrin politik në vend, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar zyrtarisht datën 7 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ky vendim vjen si një koordinim mes afateve kushtetuese dhe nevojave teknike të KQZ-së.
Në deklaratën e saj për mediat, Haxhiu theksoi se përzgjedhja e kësaj date synon të garantojë një proces të rregullt dhe gjithëpërfshirës.
“Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarjes sa më të gjerë të qytetarëve, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 7 qershor,” deklaroi ushtruesja e detyrës së presidentes.
Konsensusi politik, partitë shprehen të gatshme
Takimi i zhvilluar në Presidencë dëshmoi një dakordësi të gjerë mes forcave kryesore politike (PDK, LDK dhe AAK), të cilat u shprehën të gatshme për t’u matur në procesin elektoral.
Kryetari i PDK, Bedri Hamza, konfirmoi se partia e tij është e përgatitur për çdo datë brenda afateve, duke paralajmëruar “risitë dhe figura të reja” në listat e tyre.
Jehona Lushaku-Sadriu e LDK-së vuri në dukje se 7 qershori ishte edhe kërkesë e KQZ-së, ndërsa shpalosi vizionin e partisë për forcimin e aleancave ndërkombëtare dhe projektet zhvillimore.
Ardian Gjini i AAK-së e cilësoi procesin si një shans për stabilitetin e vendit, duke konfirmuar se është i propozuari i partisë së tij për postin e kryeministrit.
Vendimi pason takimin e djeshëm me kryesuesin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili kishte sugjeruar qershorin si opsionin më të favorshëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve logjistike dhe administrative.
/rtsh.al/