E Diel, 1 Nëntor 2026

27 vjet nga sulmi i 14 shtatorit, ceremonia mortore e Azem Hajdarit u kthye në dhunë ndaj institucioneve

27 vjet më parë, në 14 shtator të vitit 1998 ndodhi një nga ngjarjet më të rënda në historinë shqiptare të pas komunizmit.

Mbështetësit e opozitës dhe qytetarë të tjerë e kthyen ceremoninë mortore të  liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, në një sulm ndaj Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera; një revoltë që kishte elementet e një grushti shteti.

Rreth mesditës së 14 shtatorit kortezhi me arkivolet u nis nga sheshi “Skëndërbej” dhe kur mbërriti para Kryeministrisë, nisi sulmi i armatosur ndaj godines së qeverisë.

Grupet e armatosura morën edhe disa institucione, si Ministrinë e Financave, selinë e Kryesisë së Kuvendit dhe Gjykatën Kushtetuese.

Ministri i Rendit i asaj kohe urdhëroi daljen e tankeve të Gardës dhe të autoblindave, por protestuesit rrëmbyen 3 tanke dhe një autoblind.

Dhjetëra njerëz edhe të armatosur pushtuan gjithashtu Televizionin Publik, të cilin e mbajtën në kontroll deri pasdite.

Për shumë orë, Tirana ishte në kaos, derisa forcat e policisë rivendosën rendin.

Ambasadorja amerikane në Tiranë në atë kohë, Mariza Lino, mbajti një deklaratë të fortë kundër opozitës, duke nënvizuar se vdekja e Azem Hajdarit nuk duhej shfrytëzuar politikisht. Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi grushtin e shtetit dhe deklaroi se nuk njihte asnjë pushtet që del nga dhuna.

Pas këtyre mesazheve në 19:00 policia arriti të rimerrte televizionin publik dhe 30 minuta më vonë protesta e armatosur mori fund.

Një ditë pas protestës së dhunshme, kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi para mediave ndërkombëtare se çfarëdo që të ndodhte, nuk do të largohej nga Shqipëria./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›