Shqipëria hap 4 kapituj të rinj më 16 shtator, Rama: Rekord historik në ritmin e negociatave me BE

Të martën, më 16 shtator, Shqipëria pritet të hapë katër kapituj të rinj në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Takimi do të mbahet nën drejtimin e Presidencës Daneze të BE-së, me pjesëmarrjen e Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare.
Këta kapituj i shtohen 24 kapitujve të hapur gjatë 11 muajve të fundit, duke e çuar në 28 numrin total një ritëm që përfaqëson një rekord në historinë e procesit të zgjerimit të unionit.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një tjetër hap domethënës drejt objektivit të anëtarësimit në vitin 2030. Në një reagim në rrjetet sociale, ai shkruan:
“TJETËR LAJM I MIRË – Shqiperia nuk ndalet????
Të martën, datë 16 shtator, Presidenca Daneze e BE-së na fton që në praninë e Ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare, të hapim edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim, të cilët u shtohen 24 kapitujve që kemi hapur në vetëm 11 muaj – një rekord absolut për shpejtësinë e një procesi negociatash.
Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qendrueshme, mbi fusha të rëndësisë jetike, si Transporti, Energjia, Rrjetet Transeuropiane dhe Mjedisi, janë tanimë në tryezë. U vendos edhe tjetër gur kilometrik në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE”
/vizionplus.tv