28-vjeçari nga Norvegjia arrestohet në Patos për shpërndarje kokaine

Një 28-vjeçar me shtetësi norvegjeze, që banonte përkohësisht në Patos, është vënë në pranga nga policia, pasi dyshohet se ushtronte veprimtari kriminale të shpërndarjes së drogave të forta.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit, shtetasi S. T., 28 vjeç, u kap në flagrancë në një ambient të marrë me qira në fshatin Sheqishte, Patos.
Gjatë kontrollit ndaj tij dhe automjetit të marrë me qira që drejtonte, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se do të shpërndahej për përfitim financiar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme në lidhje me veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
/rtsh.al/