30 mijë porosi online në ditë në Shqipëri – Eksperti: Shqiptarët blejnë gjithnjë e më shumë online

I ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH1, eksperti i blerjeve nga Shoqata e Tregtisë Online, Erand Sula, foli mbi zhvillimin e tregtisë elektronike në vend dhe sfidat që e shoqërojnë atë. Sipas tij, megjithëse Shqipëria është përfshirë në epokën digjitale, shumica e transaksioneve ende realizohen me para në dorë, dhe një pjesë e madhe e blerjeve kryhen nëpërmjet rrjeteve sociale, ku mungon siguria për konsumatorin.
“Ne jetojmë në epokën digjitale tashmë, ku gjithçka është një klik larg ku bashkë me lehtësitë vijnë edhe rreziqet apo zhgënjimet e konsumatorit. Në Shqipëri jemi ende në transaksionet që bëhen me para në dorë. Kur flasim në Shqipëri për blerje on linw, flasim kryesisht për blerje në rrjete sociale ku bëhet tregu më i madh blerjeve. Në momentin që blihet në një faqe Instagrami nuk mund ti japësh të dhënat e kartës së bankës sepse je i ekspozuar. Problemet kryesore e këtyre blerjeve është se nuk keni masën e duhur, apo ngjyrën. Me ardhjen e këtyre platformave ndërkombëtare të cilat i kanë dhe pagesat me kartë jep komoditet njerëzve për të bërë blerjen online”, theksoi Sula.
Sula vuri në dukje se me ardhjen e platformave ndërkombëtare, të cilat mundësojnë pagesa me kartë dhe kanë sistem verifikimi të transaksioneve, është rritur besimi për blerje online. Ai theksoi rëndësinë e verifikimit të faqes së internetit dhe kujdesin ndaj mashtrimeve përmes linkeve të dyshimta që kërkojnë të dhënat bankare të përdoruesve.
“Mendoj që meshkujt janë më racional në këto blerje dhe kryesisht preferojnë blerjet e elektronikës, ndërsa femrat mbajnë rekord dhe janë të fokusuar tek fashion dhe kozmetika. Rreth 52% e shitjeve online janë fashion dhe 20% për kujdes personal vetëm nga femrat. Kemi pasur raste ku personave i shkon mesazh për të vendosur të dhënat e kartës së bankës dhe ky mesazh dërgohet për të marrë të dhënat e bankës dhe ky është një link i cili nuk duhet të klikohet. Çdo link që kërkon të dhënat e kartës nuk duhet klikuar. Diçka tjetër e rëndësishme është që website duhet të kenë të verifikojnë transaksionin, dhe jo vetëm për të futur të dhënat. Shumë i rëndësishëm është edhe domeni apo të bëni kërkime mbi biznesin nëse ekziston apo është thjesht biznes fantazmë”, u shpreh Erand Sula.
Eksperti tha se në Shqipëri realizohen rreth 30 mijë dërgesa online në ditë, që përbëjnë afërsisht 1 milion dërgesa në muaj edhe pse vendi mbetet pas krahasuar me fqinjët si Maqedonia, për shkak të mungesës së rregullave më të qarta dhe strukturave mbrojtëse për blerësit.
“Në Shqipëri flasim për rreth 30 mijë dërgesa online në ditë, e përmbledhur rreth 1 milion dërgesa në muaj vetëm çfarë vijnë në Shqipëri. Sipas një studimi të fundit doli se 1 në 4 shqiptar dëshirojnë të blejnë çdo gjë online. Për këto blerje jemi pothuaj në të njëjta nivele edhe me vendet fqinje, përjashtim Maqedonia për shkak të politika më të qarta dhe më të rregullta tek blerjen online“, tha ai.
/rtsh.al/