Komisioni miraton ligjin “Për barazinë gjinore”, çështja mbi përkatësinë gjinore ngjall diskutime nga deputetët e opozitës

Çështja mbi përkatësinë gjinore u bë pjesë e mbledhjes së radhës në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.
Përkufizimet në projektligjin “Për barazinë gjinore” prodhuan diskutime mes deputetëve opozitarë në komision dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Duke sjellë edhe eksperiencën e vendeve të zhvilluara europiane, Enno Bozdo vlerëson faktin se nuk duhet të hapet dera për të gjitha përkatësitë gjinore, që sipas tij shkatërron shtyllat e familjes
“Nuk mund të hapet dera për përkatësi të ndryshme gjinore, gjithëpërfshirëse, aq më tepër për ‘përkatësi e shumëfishtë gjinore’, siç është pika ‘g’, e cila, në fakt, e heq derën fare, dhe shpartallon kolona shumë të rëndësishme të shoqërisë dhe të familjes,” deklaroi deputeti demokrat.
“A nuk mendoni që me këtë term, ‘gjinia dhe përkatësia e shumëfishtë’, ju godisni konceptin jetik të shoqërisë njerëzore, të dy gjinive, mashkull dhe femër, për të përfshirë edhe identitete të tjera?” pyeti deputeti i PD-së, Bujar Leskaj.
“Koncepti i gjinisë në këtë projektligj nuk krijon kategori të reja juridike të gjinive, por përfshin qasjen e integruar ndaj diskriminimit me bazë gjinore. Projektligji nuk devijon nga ky binaritet, burrë dhe grua. Nuk përcakton gjini. Ky është një ligj i cili shprehet për mosdiskriminim gjinor,” sqaroi zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi.
Në fund të kësaj mbledhjeje, me sugjerimin e ndryshimeve në disa pika të neneve të tij, komisioni miratoi me shumicë votash ligjin “Për barazinë gjinore”.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/