E Diel, 1 Nëntor 2026

33 ditë protestë kundër resortit të Ulajt/ Banorët: Na kanë ofruar marrëveshje të njëanshme, policia të na mbrojë

Ketë të martë, në ditën e 33 të protestës, banorët kanë shkuar sërish në zonën e kantierit, edhe pse më shumë se 20 burra e djem të fshatit janë në komisariat të arrestuar, të vetëdorëzuar një ditë më parë pasi ndaj tyre rëndojnë akuzat e “Shkatërrimit të pronës” dhe “Plagosje e rëndë’.

Banorët shprehen të vendosur të vijojnë qëndresën e tyre. Ata thonë se në bashkëbisedim që kanë bërë, biznesmeni Bashkim Ulaj u ka ofruar kushte aspak te favorshme.

“Gruaja ime është brez i dytë këtu. Më vjen keq, i kam shërbyer 47 vite shtetit shqiptar me uniformë. Më vjen keq që shoh skenë të turpshme prej 1 mua nga policia, nga shokët, familjarët tonë, nga uniforma që supozohet me i mbrojt këta banorë. Shteti po i del zot një individi pa e ditur cila është e vërteta”, tha një banor.

“Janë zhvilluar 3 takime dhe marrëveshja u krijua e njëanshme. Donin të bënin marrëveshje për 1/10 të pronës. Na u ofrua që të merrnim 20% të ndërtimit. Por një pikë e rëndësishme ishte se kjo marrëveshje do të ishte që pas 5 viteve kur të përfundojnë ndërtimet, 20% do e merrte ai që ka certifikatën e pronësisë. Këtë e ka Fatmir Shpellza. Kush më garanton mua që për 5 vite unë do të marr certifikatën e pronësisë nga gjyqet?”, tha një tjetër banore.

Ndërkohë policia ka arrestuar 7 banorë të Rrjollit pas përplasjeve të dhunshme të 28 shkurtit me rojet private të “Breçani Security” të kontraktuar nga Ulaj për ruajtjen e punonjësve dhe të kantierit të ndërtimit.

Me status “Investitor Strategjik” dhe qindra forca policie në terren, qeveria dhe policia po shtypin rezistencën e banorëve të Velipojës për t’ia dorëzuar tokat Bashkim Ulajt.

Prej më shumë se një muaji banorët e Rrjollit në Velipojë po sulmohen fizikisht nga Policia e Shtetit, sepse kanë dalë në mbrojtje të tokave të tyre, mbi të cilat oligarku Bashkim Ulaj synon të ndërtojë një resort.

Me dokumente kadastrale false, të siguruara me urdhër të kryeministrit Edi Rama, klienti i tij Bashkim Ulaj u ka grabitur 147 hektarë toka banorëve të fshatit Rrjoll.

Ndërsa një vit përpara se të prodhoheshin dokumentet kadastrale false, Ulajt iu miratua statusi “Investitor Strategjik”, për ndërtimin e resortit “Blue Borgo” me pallate banimi, hotele, njësi tregtare dhe vila.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›