E Diel, 1 Nëntor 2026

Molotovët në drejtim të ish-vilës së Enver Hoxhës, Berisha: Keqardhje për të huajt që ishin aty, nuk e dinim

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehu keqardhje për hedhjen e molotovëve gjatë protestës së opozitën në drejtim të ish-vilës së Enver Hoxhës, brenda së cilës ndodheshin shtetas të huaj. Berisha tha se protestuesit nuk kishin dijeni për praninë e tyre dhe se ata nuk kanë qenë objekt i sulmit.

Këto deklarata Berisha i bëri pas paraqitjes së tij në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.  

“Protestat i kemi më paqësore. Nëse janë përdorur disa elementë piroteknikë, ato janë shprehje e urrejtjes ndaj Edi Ramës. Gjer sot dy gjëra mund të them: protestat tona janë absolutisht paqësore dhe do të jenë paqësore. Kjo është zgjidhja, jo imponimi; ky është besimi ynë. Janë përdorur mjete piroteknike, që ju i quani bomba molotov, por nuk ka asnjë të plagosur prej tyre. Nuk ka asnjë polic të plagosur prej tyre. Ndërkohë, kemi një të plagosur në kokë pasi është qëlluar me plumb gome. Asnjë polic i plagosur nga protestuesit. Ndjej keqardhje për ata të huaj që ishin te vila e ish-diktatorit. Ata nuk kanë qenë kurrë objekt i hedhjes së mjeteve piroteknike, por nuk e kemi ditur që ishin aty. Për ta ndjej keqardhje dhe nuk duhet të ndodhte kurrsesi. Më thanë se kanë qenë dy zonja të huaja. Unë e mora vesh dhe pyeta, dhe më thanë se është bërë qendër kulturore”, tha Berisha.

Berisha theksoi gjithashtu se, sipas tij, kthimi i ish-vilës së Enver Hoxhës në qendër kulturore përbën fyerje për viktimat e regjimit komunist, duke përmendur mijëra të ekzekutuar, të internuar dhe të persekutuar gjatë asaj periudhe.

“Ajo mund të ishte muze i torturave çnjerëzore, por qendër kulturore vila e Enver Hoxhës është një fyerje e madhe për mbi 7 mijë të ekzekutuar barbarisht për vlerat themelore të njeriut, për 40 mijë të internuarit dhe 102 mijë të persekutuarit”, tha Berisha.

Gjatë protestës së opozitës më 28 shkurt, protestuesit hodhën molotv në drejtim të ish-vilës së Enver Hoxhës, brenda së cilës ndodheshin artistë të huaj dhe vendas, pasi prej 2025 është kthyer në një qendër kulturore. Incidenti u dënua si nga kryeministri Edi Rama dhe delegacioni i BE-së.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›