E Diel, 1 Nëntor 2026

34-vjecari u vra me plumb pas koke, vijon kërkimi për arrestimin e autorit të dyshuar, Armand Shakaj

Përpara se ta hidhte në humnerë shokun e tij të ngushtë, Armand Shakaj e kishte qëlluar me plumb pas koke. I dyshuari kryesor i krimit të rëndë nuk është arrestuar ende, ndërsa burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se trupi i 34-vjeçarit, Eglant Koçi, u gjet i dekompozuar pranë fshatit Cerruj  pas dy javësh kërkime intensive nga forcat e policisë së Shqipërisë dhe të Kosovës.

Policia gjeti përmes dronit një viktimë mashkull, trupi i të cilit, sipas të gjitha dyshimeve, i përkiste 34-vjeçarit të zhdukur pa gjurmë. Më pas, ishin familjarët ata që e konfirmuan identitetin në morgun e Tiranës.

Policia njoftoi zyrtarisht se ai u gjet mes Tiranës dhe Elbasanit. Në këtë zonë ishin përqendruar kryesisht edhe kërkimet e policisë, pasi përkonin me sinjalet e fundit të celularit të shokut të tij të ngushtë, Armand Shakajt, i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe zhdukjen e të riut.

41-vjeçari, miku i Eglant Koçit, ka qenë personi i fundit me të cilin ai ka pasur kontakte para humbjes së tij pa gjurmë më 4 qershor, në zonën e Sheshit Wilson në Tiranë.

Atë natë, ai shkoi me motor te lokali i shokut të tij për të mos u parë më kurrë. Sipas hetimeve, autori është fiksuar nga kamerat e sigurisë duke dalë nga lokali me qese të zeza, të cilat i futi në automjetin e tij tip Porsche Cayenne. Automjetin, për të mos u pikasur, e kishte vendosur në një karrotrec, ndërsa motorin e viktimës e transportoi në zonën e 5 Majit.

Hetuesit besojnë se në qeset e zeza ndodhej trupi i pajetë i Eglant Koçit. Në dijeni të pengmarrjes, e më pas të ekzekutimit dhe zhdukjes së trupit, ishte edhe kamarieri i lokalit, Enea Zyferi, 25 vjeç, i cili u arrestua në zonën e Bulevardit të Ri teksa po lante automjetin me urdhër të Shakajt.

Brenda makinës janë gjetur njolla gjaku, që dyshohet se i përkasin Eglant Koçit. Madje, në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se pronari i kishte kërkuar të fikte dritat, pasi do të nxirrte një frigorifer të madh.

Pistat kryesore të hetimit lidhen me mosmarrëveshje për kriptovalutat dhe paratë me fajde.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›