34-vjetori i PS, Rama: Forca jonë qendron te burimet njerëzore

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Në selinë e Partisë Socialiste u organizuar sot një takim festiv me rastin e 34-vjetorit të themelimit të kësaj force politike.
Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u ndal te procesi i integrimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.
Rama u shpreh se ky proces kërkon angazhim në të gjitha nivelet, duke përfshirë të gjitha njësitë administrative, teksa theksoi se vlera kryesore e skuadrës mbështetëse të PS-së është te burimet e veta njerëzore.
“Unë besoj që si rezultat i mirorganizimit në të gjithë territorin dhe një beteje të bërë me shumë përkushtim në gjithë territorin, kemi po ashtu edhe një skuadër mbështetëse jashtëzakonisht premtuese në të gjitha njësitë administrative dhe në të gjitha zonat ku Partia Socialiste është angazhuar gjatë gjithë këtyre muajve, në mbështetjen të grupeve të kandidatëve për deputetë. Vlera kryesore e kësaj skuadre mbështetëse janë burimet e veta njerëzore, ku ne do të duhet të qëmtojmë më kujdes për të identifikuar më të mirët e mundshëm dhe për t’i ngarkuar me përgjegjësi në një proces, që kërkon angazhim në të gjitha nivelet”, tha Rama.
Rama tha se shumë nga detyrat që ka procesi i integrimit mbeten për t’u adresuar, por që të adresohen si duhet duan kapital njerëzor cilësor.
“Procesi i anëtarësimit nuk është thjeshtë proces i qeverisë apo i parlamentit, por është një proces i shtrirë në të gjithë territorin, ku përfshihen edhe njësitë e pushtetit vendor dhe shumë nga detyrat që ka ky proces, mbeten për t’u adresuar, por që të adresohen si duhet, duan një kapital njerëzor goxha cilësor. Kam besim se nëse ne do ta adresojmë këtë si një prioritet kombëtar të Partisë Socialiste, do të jemi në gjendje t’i japim një forcë të madhe Partisë Socialiste në territor duke u mbështetur te njerëzit më të talentuar, më të përgatitur dhe më të përkushtuar”, tha Rama.
Në 34-vjetorin e Partisë Socialiste fjalën hapëse e nisi sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi. Klosi falenderoi socialistët e diasporës dhe tha se kjo organizatë politike i ka shërbyer me patriotizëm Shqipërisë.
“Mirë se keni ardhur në 34-vjetorin e PS, e cila ia ka dalë në këto 34 vite të jetë partia më e madhe në vend. T’i shërbej Shqipërisë me patriotizëm dhe sot që jemi edhe pranë integrimit të BE. Shumë faleminderit partisë tonë të madhe, faleminderit çdo socialisti dhe faleminderit atyre që dhanë kontributin për herë të parë nga diaspora. Faleminderit kryetarit tonë Edi Rama”, tha Klosi.
PS feston 34-vjetorin, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 16/m.q/r.e/a.f/