E Diel, 1 Nëntor 2026

“3D” – Nurellari: Pretenca për ish-krerët e UÇK-së, trillim që nxjerr hipokrizinë e gjykatës në Hagë. Procesi është gatuar në “kuzhinat” e Serbisë

Politologu Adri Nurellari komentoi në emisionin “3D” në RTSH pretencën e prokurorisë në Hagë, e cila kërkoi 180 vite burg për katër ish-krerët e UÇK, të akuzuar për krime lufte.

Sipas Nurellarit, kjo pretencë “nxjerr lakuriq hipokrizinë e gjykatës dhe të prokurorisë”, duke u bazuar në akuzën kolektive për një sipërmarrje të përbashkët kriminale vetëm për faktin se të pandehurit kanë qenë në krye të UÇK-së. Ai shtoi se, pas një procesi pesëvjeçar, nuk është prezantuar asnjë fakt apo dëshmi që të vërtetojë implikimin personal të individëve të akuzuar, duke e cilësuar këtë si një trillim.

“Vetë kjo pretencë nxjerr lakuriq të gjithë hipokrizinë e kësaj gjykate dhe të prokurorisë ku u zbulua që po akuzohen në mënyrë kolektiv dhe në bllok me akuzën e një sipërmarrje të përbashkët kriminale vetëm se kanë qenë në krye të UÇK-së. Është pretenduar që kjo gjykatë do sillte fakte të reja dhe dëshmi të reja ku të vërtetohej implikimi personal i këtyre individëve por pas gjithë atij kalvari prej 5 vitesh po shohim që e gjitha jo ka qenë një trillim”, tha Nurellari.

Politologu kritikoi gjithashtu “taktikën tipike të marketingut” të gjykatës, që sipas tij përdor ankorimin e një shifre shumë të madhe dënimi për t’i bërë dënimet më të arsyeshme për pjesën tjetër të të akuzuarve.

“Ajo që e bën edhe më të ulët këtë sjellje është taktika tipike e marketingut që është përdorur, kjo quhet ankorim, që ti ankoron një shifër shumë të madhe dënimi, që ato më poshtë të duken më të arsyeshme. Pamë edhe një lëvizje tjetër që pas pretencës liroi me kusht disa të pandehurit e tjerë që dhe kjo nuk është rastësore në mënyrë që ta zbusin dhe ta ledhatojnë pas situatën”, tha ai.

Nurellari tha se kjo pretencë e prokurorisë së Hagës është edhe më e rëndë se e oficerëve gjakatarë të ish-Jugosllavisë, dhe duke shtuar se procesi është “gatuar në kuzhinat e Serbisë”.

Politologu shtoi se kësaj gjykata i mungon kontrolli dhe transparenca dhe se mënyra e drejtimit të gjykatës tregojnë përpjekje të tendencioneve për të prodhuar akuza “me zor”, duke rrezikuar jo vetëm drejtësinë, por edhe kujtesën historike të luftës së UÇK-së.

“Kjo lë shije të hidhur për shumë aspekte dhe kjo akuzë prek historinë dhe retushon atë. Kjo gjykatë me këta prokurorë po bën disa akuza që nuk i kanë pasur as oficerët gjakatar të ish-Jugosllavisë. Kjo është një gjë e ulët që gatuhet në kuzhinat e Serbisë. Kjo gjykatë ishte një projekt i përbashkët ku dhe Kosova e votoi. Ajo që ka ndodhur, nga një anë BE me turbullirat e brendshme e ka neglizhuar totalisht dhe në Kosovë kemi pasur një qeveri neglizhente dhe ajo që u prodhuar është kjo gjykate që i ka munguar kontrolli ndërkombëtar dhe ka arritur në këtë pikë. Kjo gjykatë nuk i raporton askujt dhe shumica e gjërave bëhet me duar të mbyllura ku shkeljet janë të shumta. Kësaj gjykate i mungon kontrolli legjitim dhe transparenca.  Këtu ka një përpjekjet tendecioze për të prodhuar diçka me zor”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›