Mazniku: Rishikim i kompetencave dhe ndarjes së niveleve në bashki, jo rritje e numrit të tyre

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Bashkëkryetari për Reformën Administrativo-Territoriale, deputeti socialist Arbjan Mazniku tha sot se në fokus të reformës territoriale është menaxhimi funksional i territorit.
I ftuar në “Top Story”, Mazniku u shpreh se bashkitë sot kanë proble mungesën e burimeve njerëzore profesionale, çka pasohet me shërbime jo cilësore.
Sipas tij, nuk mund të ketë shtim të numrit të bashkive, por rregullim të kompetencave, si dhe ndarje më efikase të niveleve.
“Thelbi i problemit është menaxhimi funksional i territorit dhe të kemi institucione vendore, që u përgjigjen funksioneve që territori ka nevojë.
Kjo do të thotë që ne kemi mundësi të kemi struktura vendore, bashki, të cilat kanë mundësinë dhe kapacitetin për të kryer detyrat që kanë në mënyrë efikase: të shtrojnë rrugët, të mirëmbajnë territorin, të pastrojnë, të menaxhojnë ujërat e bardha dhe të zeza, të menaxhojnë bujqësinë lokale dhe zhvillimin ekonomik lokal etj.”, u shpreh Mazniku.
Duke u kthyer te reforma e ndërmarrë në vitin 2014, Mazniku tha se ishte mjaft pozitive. “Ne kaluam nga 373 njësi vendore të ndryshme në 61 bashki dhe përmirësuam mënyrën sesi funksionon, por s’jemi aty ku duhet me cilësinë dhe sasinë e shërbimeve.
Një vit e gjysmë nga sot ne mbyllim negociatat me BE dhe në vitin 2029 do të jemi vend anëtar i BE-së. Duke qenë anëtarë të BE-së, një nga përfitimet janë dy programet thelbësore: kohezioni social dhe fondet strukturore, dy mekanizma kryesorë të BE për zhvillimin e territorit dhe bashkitë duhet të jenë gati për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave që kanë”, u shpreh Mazniku.
Sipas tij, bashkitë e vogla sot nuk arrijnë dot qëllimin për t’i ofruar shërbimin e duhur qytetarëve që kanë në administrim.
“Kjo pasi s’kanë njerëz, s’kanë arkitektë, kanë problematika të shtuara. Kryetari i bashkisë së Shijakut ka hapur 19 herë rresht garën për inxhinier ndërtimi dhe nuk ka shkuar askush. Pra kemi mungesë njerëzish, por volum të madh pune që duhet bërë”.
Mazniku vuri theksin edhe te kompetencat që bashkitë duhet të kenë. “Duhet të mendojmë kompetencat që kanë bashkitë, si përputhen sasia e kompetencave me territorin ku operojnë, duke ndërthurur këto arrijmë të krijojmë një mekanizëm eficient.
Në vitin 2014 funksionet e bashkisë u trefishuan, por kjo nuk rriti kostot. Para 2014-ës, për çdo 100 lekë që harxhonte bashkia, 70 lekë ishin për pagat e administratës në bashki; sot harxhohen 44 lekë për pagat.
Frekuenca me të cilën është takuar kryeministri me kryetarët e bashkive në 5 vitet e fundit nuk ka ndodhur kurrë më parë. Fuqia e kryetarëve të bashkive s’ka qenë kurrë më e rëndësishme se tani. Përpara reformës nuk i njihte njeri 373 kryetarë komunash, ato vulosnin në kafe”, tha Mazniku.
Duke u kthyer te tryeza e reformës administrative aktuale, Mazniku tha se, “numri i bashkive s’mund të jetë qëllim në vetvete, por shërbimi që ofrohet dhe cilësia e tij. Kur ti shkon për riparimin e rrugës së fshatit apo qytetit, duhet një planifikues urban apo inxhinier. Planifikimi i mënyrës sesi shpërndahet rrjeti urban kërkon një specializim të caktuar dhe bashkitë e vogla nuk arrijnë dot ta bëjnë, pasi s’kanë burime njerëzore. Ka bashki me 7000 vetë që s’kanë një arkitekt të mirë, urbanist të specializuar për ta arritur këtë.
Logjika është kjo: në qendër të çdo territori administrativ duhet të kemi një qytet që është mjaftueshëm i madh që, veç shërbimeve publike, të ketë edhe shërbime funksionale, pra zonë funksionale. Ne kemi 61 qytete. Fizikisht në Shqipëri janë 61 qytete, po të shtojmë një tjetër, do bëjmë një bashki pa zonë fizike urbane, mund të jenë fshatra të banuara, pasi s’ka zonë urbane. Çdo tentativë për ta rritur numrin e bashkive do krijonte një entitet pa territor, pa qytet brenda dhe një hapësirë pa shërbim, pa aktivitet. Bën sens që ne të diskutojmë për një logjikë më të mirë për ndarje nivelesh më shumë sesa madhësish”, tha Mazniku.
“Çfarë pune kemi për të bërë, punë bashkiake? Duam të kemi ndriçim. Ka disa procese për këtë: njëri për mirëmbajtje, tjetri për investim, planifikimin dikush tjetër. Ta ndajmë funksionin në nivele të ndryshme, duke ndarë kompetencat e qarkut, bashkive dhe njësive administrative.
Ne duhet të ulemi me opozitën dhe të flasim cilat janë mënyrat dhe kompetencat që duhet të kenë bashkitë dhe si do t’i zbatojnë ato, si dhe cilat kompetenca mund t’i kthehen qeverisë. Në korrikun e këtij viti miratohet reforma territoriale, më pas në vjeshtë edhe ligji për kompetencat dhe financat vendore”, përfundoi Mazniku.
/a.f/r.e/